Koleksionistja Linda Spahiu: Plagë e madhe, Tirana nuk ka një muze etnografik

14 Maj 2019, 15:38| Përditesimi: 14 Maj 2019, 16:00

  • Share

Kush jam? Kjo është dilema më e madhe për këdo. Por për të njohur themelet që nuk duken, duhet që të gërmojmë sa më thellë, derisa të zbulojmë se cila është trashëgimia jonë kulturore. Koleksionisten Linda Spahiu e takojmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, pranë xhubletës së ekspozuar në këto hapësira për kuvendin treditor ndërkombëtar “Rrënjët”. Edhe kësaj here, koleksionistja dhe mjekja pediatre Linda Spahiu, na flet për rrënjët, shëndetin, por edhe për mundësitë për ekzistencë në të ardhmen.

 “Nëse shikon derisa të bëhen sytë ujë drejt horizontit dhe më tutje, atje do të gjesh të kaluarën. Pa e zbuluar se cila ka qenë e kaluara, zor se do të arrihet në të ardhmen. Kjo nuk vlen vetëm për ne shqiptarë, për foshnjën ku rritet”, thotë Spahiu.

Më tej koleksionistja kërkon që të imagjinojmë një foshnje që nuk njeh prindërit, sikundër ka ndodhur edhe  me fakte historike, me fëmijët e së panjohurës, që kanë ardhur si pasojë e eksperimenteve çmendurake për përmirësimin e racës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ata pas 50-60 vjetësh, jo vetëm që bënë një fushatë të vazhdueshme për kërkimin e prindërve, por edhe ishin kontingjent i dhimbjeve, depresionit, i sëmundjeve psikike, i mosrealizimit në jetë. Edhe kjo për një individ, por për një komb të tërë. E shkuara është si ajri, domosdoshmëri. Mundësia për të gabuar në njohjen e së shkuarës është e frikshme. Kjo është arsyeja, që unë mbështetem kryesisht tek artefakti, duke i kushtuar jetën mbrojtjes së dokumentit, kostumit, simbolit, e faktit të gjendur brenda territorit shqiptar nga shqiptarët ndër shqiptarë. Pastaj burra më të mirë edhe më të menccur do të vijnë dhe do ta kenë bibliotekën aty”, thotë koleksionistja.

Spahiu mendon se asgjë më shumë sesa koha nuk mundet që ta shkatërrojë një artefakt.

 “Të gjithë e dimë që lagështira e ajërit dhe intensiteti i dritës, temperatura etj., e shkatërrojnë objektin, por më shumë se çdo gjë e shkatërron materia. Edhe ne nuk kemi shumë kohë, që të mbrojmë vetveten. Nëse nuk mendohet sot në frymën, që shqiptarët që do të vijnë pas 200-300 vitesh a do ta kenë luksin që të njohin vetveten. Nëse nuk mendohet sot në këtë frymë, zor se do t’ju lëmë ndonjë gjë. Kaq e domosdoshme është”, vijon më tej Spahiu.

Ndërsa, mungesën e një pavijoni apo muzeu etnografik në Tiranë, ku komuniteti mund të njoh veten, duke lexuar origjinën e tij, identitetin e vet, të ardhmen e quan një plagë shumë të madhe.

 “Ky është një problem i madh. Është plagë e madhe, hall i madh, por le të lutemi, myslimanë edhe të krishterë, që ndoshta të krijohen mundësitë, që të fillojmë të marrim një përgjigje. Tirana nuk ka një muze etnografik. Populli më i pastër edhe më i pasur etnografik në Europë nuk ka një muze etnografik. Ne shqiptarët jetojmë në paradoks, jemi në shtëpinë e paradokseve, por lë të shpresojmë që të zgjidhet”, tregon ajo.

Xhubleta për Spahiun është një nga ato artefakte, që vërtetojnë më së miri se Shqipëria është një pasanike, shumë e varfër.

“Dokumenti që vërteton ekzistencën e xhubletës është 4000 vjet, ai fisnik është 2500, dokumente të tjera vërtetojnë dokumentin e kostumin janë sërish mijëra vjet. Në asnjë vend në asnjë pikë të globit nuk gjendet një kostum kaq i përsosur, me një teknologji mistike, që daton në mijëra vjet. Të bashkosh të dyja këto dy pika, është një fakt tronditës. Problemi është që Shqipëria jonë është një pasanike shumë e varfër. Duhet të punojmë edhe të kemi durim, që të ruajmë artefaktin”, përfundon koleksionistja Linda Spahiu.

 Prej 10 afro vitesh Pavijoni i Etnografisë në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar qëndron i mbyllur. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?