Investigimi i kompanisë konsulente të kontaktuar nga ujësjellësi për të verifikuar gjendjen e digës së Liqenit Artificial të Tiranës dhe sistemet e saj të shkarkimit ka treguar se kolektori kryesor është i bllokuar në dy zona problematike, ku nevojitet ndërhyrje.
Në mbledhjen e fundit, Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) shqyrtoi projektin për inspektimin dhe rehabilitimin e kolektorit, të përgatitur nga kompania konsulente dhe dorëzuar nga UKT. Projekti mbulon të gjithë gjatësinë prej mbi 1.5 kilometrash të kolektorit dhe parashikon masa për rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara që pengojnë shkarkimin e ujërave të tepërta.
Ekspertët e firmës konsulente kanë identifikuar dy zona me probleme: njëra pas digës, ku kolektori kalon poshtë ish-ndërtesës së Universitetit Ballkan, dhe tjetra pranë një ndërtese shumëkatëshe në ndërtim, pranë godinës së KESH sh.a.
“Nga investigimi i kryer nga ekspertet e firmës konsulente rezulton se ne dy zona ku kalon ky kolektor, ka bllokime te pusetave, bllokime te tubacionit si dhe nendimensionim për shkak të prurjeve shtesë të ardhura dhe diametrit aktual të kolektorit. Zonat më problematike janë zona pas digës ku kolektori kalon poshtë ndërtesave të ish-Universiteti Ballkan dhe zona në afërsi të një ndërtese shumëkatëshe në ndërtim pranë ndërtesës së KESH sh.a. Në këto zona ekziston rreziku i madh që gjatë prurjeve maksimale që mund të vijnë në zone të kemi bllokime të lëvizjes së ujit dhe përmbytje në zonën përreth tyre” nënvizon Komiteti.
KKDM, që në shkurt të këtij viti kërkoi me një vendim të veçantë plotësimin e disa kërkesave, ka rekomanduar spostimin e kolektorit përgjatë rrugëve publike, për të shmangur kalimin e tij në zona private dhe për të lehtësuar mirëmbajtjen në të ardhmen.
Megjithatë, Komiteti thekson se projekti nuk mund të zbatohet pa miratimin e Bashkisë së Tiranës, e cila është pronare e objektit. Pas dhënies së miratimit nga kjo e fundit mund të vijohet me procedurat e miratimit dhe fillimit të punimeve./Monitor
Komente
