Kollçaku zbulon 3 shtyllat e programit të PS në 14 maj: Marrim Shkodrën! Kadilli: S’ka garë! Basha të kthehet vetëm nëse ka ide të re politike

11 Prill 2023, 17:05| Përditesimi: 11 Prill 2023, 18:06

  • Share

TIRANË- Deputeti socialist Bardhyl Kollçaku ka zbuluar në Report Tv 3 shtyllat kryesore mbi të cilat do të bazohet PS në këto zgjedhje vendore, e ndërsa ka shpjeguar edhe arsyen se përse kanë zgjedhur një fushatë pa shumë shpenzime.

“I ka ikur koha dhe njerëzit janë lodhur, kjo do jetë edhe frytdhënëse për ata që duan të shpjegojnë programet e tyre.  Gara nuk është me opozitën e bashkuar ose jo, gara është me veten, me objektivat dhe angazhimet dhe detyrat që kemi kryer. Kemi kurajo që të themi çfarë nuk kemi bërë. Siguri, përkujdesje dhe qëndrueshmëri ekonomike, këto janë 3 shtyllat e programit tonë”, tha Kollçaku.

Mirëpo, nga ana tjetër, për ish kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli këto zgjedhje në vetvete nuk kanë asnjë kuriozitet për shkak se nuk ka garë. Ai tha se kandidatët nuk po sjellin programe dhe ajo që sipas tij nuk është aspak e drejtë është se në vend të shfaqen kandidatët e secilës palë, më shumë vëmendje po merr Berisha, Meta, Rama dhe Alibeaj.

“Këto zgjedhje nuk kanë më garë dhe duke mos pasur garë vështirë që të futesh në kuriozitetin e rezultatit, nuk sigurojnë një ndryshim të madh nga bashkitë që kontrollon sot PS, nuk ka garë në numra se opozita është e përçarë numerikisht dhe moralisht, nuk ka as garë projektesh. Nuk ka origjinalitet në garë, te kandidatët e PS sheh Ramën, te Këlliçi sheh Berishën dhe Metën, te Bejko sheh vazhdimësinë e Enkelejd Alibeajt”, tha Fatbardh Kadilli.

Kollçaku tregon se 3 janë qarqet ku PS mund të rrezikojë, mirëpo shprehet besimplotë që do e marrin Shkodrën, një bastion historikisht i djathtë.

“Kukës, Shkodër dhe Lezhë, dhe Shkodra do jetë rozë. Po punojmë fort, kemi një kandidat të shkëlqyer, qytetar shkodran, ka një eksperiencë shumë të mirë menaxhuese”, shtoi Kollçaku.

Ndalur te aleanca Berisha-Meta, prtishmëritë e Kadillit janë të larta, duke thënë se nuk do të çuditej aspak edhe nëse do të kishte një aleancë që do shkonte përtej këtyre zgjedhjeve. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Kollçaku, por shton se përtej raportit të mirë mes Berishës dhe Metës, baza nuk ka të njëjtin mendim, por kanë përplasje me palët.

“Ata kanë thënë prova që kanë bërë aleanca më të paprincipta, nuk çuditem nga asgjë”, tha Kadilli.

“Ka mirëkuptim në qendër të drejtuesve kryesor, por në terren janë të pakënaqur për emrat e primareve, të Këshillave Bashkiak. Realiteti në terren është ndryshe”, u shpreh Kollçaku.

E ndërsa një ditë më parë, ish presidenti Bamir Topi i bëri thirrje Lulzim Bashës të kthehej, Kadilli thotë se duhet ta bëjë një gjë të tillë vetëm nëse ka një ide të re politike, në të kundërtën jo.

“Si ata që ftohen në damës edhe pse kemi kohë pa e parë, nëse del me ide të re politike është i mirëpritur, s’ka më ngjarje politike me emra, por me ide”, përfundoi Kadilli.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?