Në Korçë po mbahet edicioni i 13-të I Kolonia ndërkombëtare e arteve figurative “Ditët e Mios”, që ka sjellë 51 mjeshtra të telajos nga 15 vende të ndryshme të botës. Dy artistë nga Maqedonia e Veriut ndajnë me Report Tv këtë eksperiencë, ndërsa thonë se qyteti jug-lindor I Shqipërisë është inspirim për artistët.
Ljubica Solak dhe Burhan Ahmeti nga Maqedonia e Veriut janë dy piktorët të cilët janë bërë pjesë e Kolonisë së Artit ‘Mio’ që zhvillohet në qytetin e Korçës për vitin e 13. Këtë herë mes 51 mjeshtrave të telajos kishte pjesëmarrës nga 15 vende të ndryshme të botës.
Piktorja Ljubica Solak tregon përjetimet e saj në qytetin e Korçës, si dhe thotë se nuk është hera e parë që vjen në qytetin juglindor.
“Është hera e parë në këtë aktivitet, por jo hera e parë në Korçë. kam qenë edhe para disa vitesh. Kam dëgjuar për Vangjush Mion, më pëlqejnë kryesisht të vizatoj pasazhet, por edhe kombinimet me ndërtesat e vjetra”, tha Ljubica Solak, piktore.
Burhan Ahmeti është piktori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili nuk është bashkuar për herën e parë me koloninë e Piktorëve. Ahmeti thotë se sivjet në këtë koloni dominojnë artistët e huaj. Ahmeti ndryshe nga kolegët e tij, si peizazhist shëtit dhe memorizon vende në Korçë e më pas nëpërmjet memories dhe imagjinatës hedh në telajo bojërat për të krijuar një copëz nga ky qytet.
“Është hera e tretë që marr pjesë në këtë aktivitet. punën e veprave ia lëmë inspirimit, sidomos fillimi është shumë i rëndësishëm, inspirimi që marrim nga ky vend mundohemi ta hedhim në telajo. Si pikënisje kemi shtëpinë muze të Mios, dhe inspirimi i parë vjen këtu, nga veprat e tij, nga muzeu. Artistët vendas e kanë prioritet pikturën në natyrë, ndërsa vetë mundohem që atë që shoh, të mos e hedh menjëherë në telajo, por në studio, pak më vonë”, tha Burhan Ahmeti, piktor.
Ai thotë se në përfundim të kësaj kolonie do i lerë Korçës një vepër te ekspresionizmit abstrakt, të frymëzuar nga bukuritë dhe të mirat e Korçës.
“Çdo herë ka frymëzim këtu, edhe pse nuk shoh shumë gjallëri si dikur, por thjesht ky qytet është i pazëvendësueshëm”, u shpreh Ahmeti.
Kolonia ndërkombëtare e piktorëve është ngjarja më e rëndësishme e artit figurativ në qarkun juglindor. Dhe në përfundim të saj do të ketë krijime nga artistët ndërkombëtar të cilat do te mbeten në Korçë.