Kjo godinë e vogël, rrethuar nga ferrat është qendra shëndetësore e fshatit Boshanj në Kolonjë. Prej më shumë se dy vitesh këtu nuk shkel asnjë infermier.
“Kemi dy vjet pa infermier. E kemi bërë problem në bashki por nuk është zgjidhur”.
Për të bërë mjekimet apo injeksionet, banorët janë të detyruar të udhëtojnë me taksi drejt qytetit të Ersekës. Kostoja shkon 1500 lek për një rrugë, ç’ka rëndon xhepat e tyre.
“Me makina private shkojmë, do 15-20 mijë lek (të vjetra) taksia deri në Ersekë”.
Shpeshherë banorët janë të detyruar të marrin rrugën në këmbë nga Boshanji në Ersekë, për të kryer shërbimet mjekësore.
“Këtu infermier s’ka, u japim këmbëve e shkojmë në Ersekë për një gjilpërë”, tha një tjetër banor.
Pandi Çunge drejtor i Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Kolonjë pranon faktin se në qendrën shëndetësore të Boshanjit vendi ka mbetur vakant pasi infermieri është larguar nga vendi.
Mungesa e rrugës, shkollës dhe qendrës shëndetësore kanë bërë që fshati Boshanj të braktiset dita-ditës. Sot kanë mbetur 21 familje, nga 80 që kanë qenë dy dekada më parë.