Bota

Shqiptari në Kolumbi ekzekutohet për larje hesapesh, në pranga autori venezuelian! Autori e pyeti për emrin, më pas e qëlloi (EMRI+VIDEO)

6 Tetor, 11:59| Përditesimi: 6 Tetor, 13:41

  • Share

KOLUMBI - Një atentat mafioz u regjistrua në Kolumbi një ditë më parë ku një 44-vjeçar shqiptar, me dokumente ekuadoriane, mbeti viktimë e një sulmi me pagesë në Medellín, pranë qendrës tregtare Santa Fe në El Poblado.

Shqiptari është identifikuar si Kristjan Tushi alias Artur Tushi nga fshati Raboshtë i Lezhës i njohur me pseudinimin 'Qoti', ndërsa autori venezuelian ka rënë në prangat e policisë.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij.

“Ai i kërkoi vetëm emrin e personit dhe, kur e konfirmoi se ishte ai e qëlloi për vdekje ”, tha një dëshmitar.

Në të njëjtin ngjarje, një grua 77-vjeçare mbeti e plagosur. Nuk është ende e qartë nëse e moshuara ishte me viktimën apo kalimtare e rastit.

"Përmes zyrës së Interpolit, ne kemi kërkuar informacione nga vende të ndryshme që do të kontribuojnë në identifikimin e tij të plotë dhe do të përcaktojnë nëse ky individ ka ndonjë të kaluar kriminale ose precedent penal. I ndaluari iu dorëzua Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të përballet me një vendim para një gjyqtari, duke u përballur me dënime të mundshme deri në 33 vjet burg", tha Gjenerali William Castaño, komandant i Policisë Metropolitane.

Ndërkohë hetimet e InSight Crime tregojnë se rrjetet shqiptare janë një lojtar kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike .

Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.

Ky pozicionim strategjik i ka lejuar ata të bëhen përfitues të mëdhenj të kokainës në Amerikën Latine, duke e blerë drogën për afërsisht 2,000 deri në 4,000 dollarë amerikanë për kilogram dhe duke e rishitur atë në Evropë për 30,000 deri në 40,000 dollarë amerikanë.

Edhe pse shpesh quhen "mafia shqiptare", ato janë rrjete të decentralizuara, si "Kompania Bello", objektivi kryesor i të cilave në Ekuador është të negociojnë marrëveshje, të nënkontraktojnë dërgesat për grupet ekuadoriane dhe të pastrojnë para duke blerë kompani fasade eksporti dhe importi, veçanërisht në portin e Guayaquil.

Shembulli kryesor është ai i Dritan Gjikës (i njohur ndryshe si "Tonny"), një trafikant shqiptar i cili u vendos në Ekuador në vitin 2009, duke u paraqitur si biznesmen dhe duke ndërtuar një perandori të fuqishme të trafikut të drogës.

Rrjeti i tij trafikoi më shumë se 9.5 tonë kokainë kolumbiane në Evropë nëpërmjet Ekuadorit. Për të vepruar, Gjika krijoi një rrjet të sofistikuar të bazuar në përdorimin e kompanive fasadë, nënkontraktimin, komunikimin nëpërmjet bisedave të koduara dhe, më e rëndësishmja, mbrojtjen e kontakteve të nivelit të lartë brenda elitave ekonomike dhe të sigurisë të Ekuadorit, që dyshohet se përfshinin edhe ish-shefin e policisë.

Prania e shqiptarëve në Guayaquil karakterizohet gjithashtu nga një konkurrencë e fortë midis këtyre rrjeteve ballkanike, e cila është manifestuar në vrasjet e anëtarëve të dyshuar të mafias në qytetin port.

Ora 12:32
Del FOTO, kush është ‘Qoti’ nga Lezha që u ekzekutua për larje hesapesh në Kolumbi

1759746812_arturtushi.jpg

Foto: Artur Tushi

Report Tv ka siguruar foton e Artur Tushit, 44-vjeçarit cilin e ekzekutuan në një atentat mafioz në Kolumbi.

Viktima me origjinë nga fshati Raboshtë i Lezhës njihej ndryshe edhe me pseudonimin 'Qoti'.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?