Përballja ishte mes dy boksierëve të cilët nuk kanë asnjë humbje në boksin profesionist, ndërsa sërish shqiptari Nelson Hysa doli i pamposhtur. 40-vjeçari fitoi me nokaut në raundin e 3 ndaj kolumbianit Edwin Castillo.
“U bë i 5-ti kundërshtar që është me 0 humbje dhe unë i shkaktoi humbjen e parë. Nuk jam i gëzuar vetëm për këtë, por edhe për ecurinë time pozitive. Formën time fizike, që po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe renditjen botërore sepse për atë punojmë,"-u shpreh boksieri Nelson Hysa.
Për Hysën kjo ishte fitorja e 22 në karrierë në po kaq ndeshje, që e kanë ngjitur të 24-in në renditjen e ‘boxrec’. Gjithashtu i kanë dhënë një bonus të madh në dy federatat e mëdha të boksit si WBO dhe WBA.
“Në WBO jam brenda 10-shes së botës dhe me këtë ndeshje shpresoj të zbres më shumë dhe në WBA jam në top-15. Kjo është ajo që unë synoj dhe bashkë me stafin po punojmë për të shkuar në top-5 dhe për tu ndeshur për titull bote,”-tha boksieri shqiptar.
Nelson Hysa është aktualisht kampion Evrope në federatën WBO, ndërsa është pjesë gjithashtu e ekipi kombëtar, që më 17 prill do të ketë disa përballje të forta në Tiranë.
“Është ekipi kombëtar i ynë me ekipin kombëtar spanjoll. Aty kemi edhe ndeshje profesionale, që është Geljan Rajku, Denis Nurja, Neraldo Ymeri, Roxhers Muslia dhe Bob Agej. Shpresoj që të kemi një mbështetje të madhe nga të gjithë shqiptarët,”-deklaroi Eduart Dalipi, trajner i ekipit kombëtar.
Prej disa vitesh boksierët shqiptarë janë përfshirë në disiplinën e boksit profesionist, si një mënyrë më e mirë për karrierë dhe të ardhura.
Komente
