Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore për eliminatoret e Europianit 2024 për herë të parë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, që do të jetë edhe shtëpia e përhershme e kuqezinjve. Për trajnerin Sylvinho do jetë një nisje e vështirë pasi përballë të hënën e ardhshme do jetë Polonia. Megjithatë sulmuesi i vetëm i kuqezinjve për këtë përballje Sokol Cikalleshi beson shumë se kombëtarja mund t’ia dalë për tre pikët.
“Pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë futesh për të fituar ndeshjen. Plan B mund të jetë dhe barazimi. Unë nuk e kam menduar barazimin as me Francën as me Anglinë, por kemi shkuar për të fituar. Do të shkojmë për të fituar ndeshjen dhe me grupin që kemi mendoj se mund të marrim një rezultat pozitiv,”-u shpreh Sokol Cikalleshi, futbollist i kombëtares.
Në listën e bërë për herë të parë nga trajneri Sylvinho kishte edhe të ftuar rishtazhi, siç është rasti i Jasir Asanit, ish-futbollistit të Partizanit që luan në Korenë e Jugut.
“Ftesën e kam pritur gjithmonë sepse jam shqiptar dhe ëndrra ime ka qenë që të luaj për Kombëtaren shqiptare. E kam pranuar me shumë dëshirë. Edhe familja ime ka qenë shumë e lumtur për ftesën. Ne do të shkojmë për fitoren. Të japim maksimumin dhe të dalim me një rezultat pozitiv,”-deklaroi Jasir Asani, futbollist i kombëtares.
Poloni-Shqipëri që luhet më 27 mars në Varshavë është ndeshja e parë e kuqezinjve për eliminatoret e Euro 2024 ku pjesë e grupit janë edhe Çekia, Moldavia dhe Ishujt Faroe.