Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka marrë sot lajmin më të keq nga mjekët pas vizitave të specializuara në Valencia për dëmtimin e pësuar dy ditë më parë me skuadrën e Levantes. Raporti mjekësor i publikuar nga klubi spanjoll ka bërë të ditur se ajo së cilës sulmuesi i frikësohej më shumë kishte ndodhur përsëri.
Testet mjekësore të zhvilluara gjatë ditës së sotme për Armando Sadikun konfirmojnë se sulmuesi shqiptar ka pësuar këputjen e ligamenteve të gjurit të majtë. Futbollisti do të operohet sot pasdite në klinikën “Quirón” nga doktori Ernesto Fernandez. Sadiku doli nga fusha i dëmtuar në pjesën e dytë të ndeshjes së të shtunës së kaluar përballë Herenven.
Parashikohet një periudhë riaftësimi prej 6 muajsh. Sulmuesi kuqezi e ka mbyllur vitin dhe do të kthehet në fushat e lojës në 2019-ën. Sadiku ka vuajtur një situatë të ngjashme dy vite më parë, pasi dëmtoi gjurin e majtë kur luante me Zyrihun. Kështu, Christian Panucci humbet sulmuesin kryesor të Kombëtares për ndeshjen e parë në shtator të Ligës së Kombeve, kundër Izraelit.