Kombëtarja shqiptare ka mbyllur këtë të enjte përgatitjet në tokën shqiptare për ndeshjen me Serbinë që zhvillohet të shtunën e 11 tetorit në Leskovac. Për të dytën ditë me radhë trajneri Sylvinho kishte në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve të grumbulluar, ndërsa pjesë e stërvitjes ishte edhe futbollisti i talentuar i Teutës Xhoele Maçolli.
Të premten Kombëtarja do të udhëtojë drejt Serbisë përmes një çarteri në Nish, ndërsa pasdite do të kryejë seancën e parë dhe të vetme stërvitore në tokën serbe. Gjithashtu po të premten trajneri Sylvinho, por edhe kapiteni i kombëtares do të dalin para mediave për sfidën që vulos fatet e kuqezinjve në lidhje me kualkfikimin në Botëror.
Ndërkohë në Serbi frika për incidente është shumë e lartë edhe pse për këtë arsye ndeshja u spostua nga Beogradi në Leskovac. Presidenti i federatës serbe të futbollit, Dragan Xhajiç, është shprehur se po merret çdo masë e mundshme për të shmangur incidentet si në 2014, kur futbollistët shqiptarë u sulmuan fizikisht nga huliganët serbë në fushën e lojës. Sipas Xhajiç nëse një situatë e tillë do përsëritej atëherë sipas të gjitha gjasave Serbia do të pezullohej për disa vite nga UEFA dhe FIFA.
Ai u ndal edhe në aspektin sportiv ku tha se Serbia ka grupin dhe elementë shumë kualitativ për ta fituar ndeshjen e 11 tetorit kundër Shqipërisë, por shtoi se kuqezinjtë janë gjithashtu një skuadër e fortë dhe me rezultate pozitive në vitet e fundit.
UEFA ndërkohë ka përzgjedhur edhe arbitrat që do të gjykojnë ndeshjen, teksa do të jenë një 4-she nga Rumania me kryesor Istvan Kovacs. Ky i fundit ishte edhe arbitri i cili gjykoi finalen e Champions League të vitit të kaluar. Detaj që tregon për rëndësinë që ndeshja ka për UEFA-n.
Komente
