Humbja 2-0 kundër Çekisë duket të tejkalohet dhe Kombëtarja e futbollit ka mundësinë për autokritikë, aty ku të hënën në orën 18:00 luan në Tbilisi kundër Gjeorgjisë për ndeshjen e katërt në Grupin B1 të Ligës së Kombeve.
UEFA ka vendosur tanimë edhe arbitrin e ndeshjes së kuqezinjve, me holandezin Danny Makkelie që nuk është i panjohur për tanët. 41-vjeçari është emër i njohur për Shqipërinë, pasi ishte arbitër kryesor në "Air Albania" më 12 tetorin e 2023, aty ku Shqipëria mposhti 3-0 Çekinë në kualifikueset e Euro 2024. Madje arbitri nxori edhe kartonin e kuq për Chytil të miqve pas 39 minutave lojë.
Ndihmësa të Danny Makkelie do jenë bashkëkombasit e tij, Hessel Streegstra, Jan de Vries dhe Allard Lindhout. Në VAR do jenë Rob Dieperink dhe Eruin Blank.
Përballja është deçizive për Shqipërinë që qëndron në vendin e tretë me tri pikë (sa Ukraina) dhe sheh përpara Gjeorgjinë dhe Çekinë me gjashtë pikë. Kujtojmë se një muaj më parë Gjeorgjia mposhti tanët 0-1 në "Air Albania". Arbitri Danny Makkelie ishte pjesë edhe e finaleve të Euro 2024, ku 'u përjashtua' pas fazës së grupeve për polemikat e shumta kundër tij pas dy ndeshjeve, Gjermani - Hungari dhe Itali - Kroaci.