Kombëtarja ka mbyllur gjysmën e fushatës elminatore të Europianit 2024, por për kuqezinjtë nuk është momenti për të pushuar. Nën drejtimin e Sylvinhos kanë nisur përgatitjet për sfidën e së dielës me Poloninë, që vjen pas një momenti pozitiv të krijuar nga barazimi 1-1 me Çekinë. Autori i golit Nedim Bajrami, thotë se duhet ende shumë punë për të përmbushur ëndrrën e kualifikimit.
“E dinim se do ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, sepse kundërshtari ishte fizikisht shumë i fortë. Ne dhamë shpirtin në fushë dhe shënuam 1-1. Unë jam i lumtur që ndihmova skuadrën, por të gjithë luajtëm shumë mirë. Tani kemi një ndeshje tjetër. Kemi akoma rrugë të gjatë për të bërë", tha Nedim Bajrami, futbollist i kombëtares.
Mbrojtësi 20-vjeçar Mario Mitaj beson se barazimi me Çekinë do ta ndihmojë shumë kombëtaren pas 2 ditëve me Poloninë.
“Si unë dhe ekipi bëmë një paraqitje shumë të mirë. Mbrojtëm, sulmuam sëbashku dhe dhamë shpirtin për skuadrën. Ky grup në dy vitet e fundit është shumë harmonik në dhomat e zhveshjes. Me këtë rezultat pozitiv do jemi edhe më të përqëndruar dhe të motivuar kundër Polonisë", u shpreh Mario Mitaj, futbollist i kombëtares.
Polonia që renditet në vendin e 3 në grup, me 1 pikë më pak se Shqipëria, do tentojë të mposhtë kuqezinjtë në Air Albania për ti marrë vendin, pasi dy përfaqësueset e para shkojnë në Europian. Ndeshja e parë për eliminatoret e Euro 2024, u zhvillua me 27 mars në Varshavë dhe u fitua 1-0 nga polakët me golin e Sëiderskit. Të dielën Shqipëria do ketë ndihmën e madhe të tifozëve, pasi 22 mijë biletat janë shitur me kohë, ndërsa sfida do të gjykohet nga një katërshe arbitrash nga Spanja me kryesor Jose Maria Sanchez.
Komente
