Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar mëngjesin e së enjtes stërvitjen e fundit në tokën amë para se të nisej në Pragë ku edhe do të luhet ndeshja e parë e Ligës së Kombeve, kundër Ukrainës të shtunën në orën 20:45. Grupi është i plotë pas mungesave të mësuara më herët si kapiteni Gjimshiti dhe Armando Broja, ndërsa futbollistët besojnë se do e nisin me 3 pikët.
“Kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukrainë për mua. Ne do futemi në fushë për ti fituar të gjitha ndeshjet, por do shohim në fund sesi do shkojë. Objektivi është gjithmonë fitorja,”-u shpreh Marash Kumbulla, futbollist i kombëtares.
Ndeshja do luhet në stadiumin Epet Arena të Spartës së Pragës që ka një kapacitet prej gati 19 mijë vendesh.
“Ndeshje veçantë për mua kundër Ukrainës sepse lozim në Çeki, në stadiumin e ekipit tim. Patjetër janë kundërshtarë të fortë, se kanë qenë edhe ata në Evropian. Është shumë e rëndësishme që tifozët të na vijnë të na mbështesin siç ndodhi në Gjermani. Do jetë e bukur për të gjithë lojtarët sepse do kemi shumë nevojë për tifozët,”-tha Qazim Laçi, futbollist i kombëtares.
Pas sfidës me Ukrainën, kombëtarja do luajë në Tiranë kundër Gjeorgjisë me 10 shtator ndeshjen e dytë në grupin e Ligës së Kombeve, një kompeticion që vlen edhe për kualifikueset e Boëtrorit.
Në 6 ndeshje të zhvilluara me Ukrainën Shqipëria ka grumbulluar 5 humbje dhe vetëm 1 barazim, ndërsa aktualisht kundërshtarët tanë në Ligën e Kombeve mbajnë vendin e 25 në FIFA, ndërsa kuqezinjtë e Sylvinhos vendin e 66. Edhe sipas transfermarket Ukraina ka vlerën e lojtarëve 330 milionë euro, ndërsa Shqipëria 104 milionë euro.