Kombëtarja shqiptare e futbollit është pa trajner. Kontrata e Edy Rejas me FSHF-në skadoi në fundin e nëntorit, me kuqezinjtë që deri në fundin e vitit 2022 do mësojnë edhe emrin e teknikut të ri që do jetë në krye të ekipit për të paktën dy vite. Në media janë përmendur disa emra, teksa duket se edhe këtë herë "peshorja" do anojë nga Italia.
Ekskluziviteti për zgjedhjen e trajnerit të ri është i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe presidentit Duka, me këtë të fundit që është "i dashuruar" pas italianëve. Prej 2002 kur ai u zgjodh për herë të parë si i kreu i futbollit, në stolin kuqezi janë ulur katër trajnerë nga Apeninet.
Gjithçka fillon me Giuseppe Dossena në 2002, për të vijuar me Gianni de Biasin në 2011-2017, Christian Panuccin në 2017-2019 dhe me Edouardo Rejan nga 2019 - 2022.
Në listë për të zënë vendin e Rejas janë tre emra të njohur në Itali. Roberto Donadoni, Massimo Odo dhe Luigi di Biaggio po konsiderohen nga stafi kuqezi, teksa edhe Silvinho (Brazil), Felix Magath (Gjermani), Reinaldo Rueda (Kolumbi), Esteban Cambiasso (Argjentinë) kanë qarkulluar si zëvendësues të 77-vjeçarit.
Një rinovim me trajnerin Reja duket i pamundur, në kushtet kur tekniku kishte kohën e duhur për t'u kualifikuar në një turne madhor dhe nuk ia doli. Veç aftësive të trajnerit, në stolin e kuqezinjve do duhet të vendoset edhe një trajner që të komunikojë me lojtarët dhe gjuha italiane është e preferuara te kuqezinjtë, me pjesën dërmuese të lojtarëve që luajnë në Serie A.
Vlen për t'u theksuar se prej 2002 kur Duka është në krye të FSHF-së, Kombëtaren nuk e ka drejtuar asnjë trajner shqiptar. Ilir Daja, trajneri i Balkanit ka qenë një opsion, me këtë të fundit që rinovoi në Kosovë.