Kombëtarja shqiptare është në përgatitjet e fundit përpara euro 2024, ku sfidën e parë do ta luajë në Dortmund përballë Italisë së Spalletit, ndërsa sot në mbrëmje do të ndeshet në miqësore me Lishtenshtejnin.
Në ‘Studio Live’ gazetari Ernest Koçi dhe trajneri Mirel Josa komentuan për Arbër Hitajn shanset e kombëtares në grupin B, ku përveç Italisë e pret edhe Spanja së bashku me Kroacinë. Lidhur me grumbullimin e futbollistëve dhe lënien jashtë të sulmuesve si Cikalleshi dhe Uzuni, trajneri Josa shprehet se këto kanë qenë zgjedhjet e Sylvinhos dhe të stafit të tij.
'Është zgjidhje e trajnerit. Nuk mund të themi që ka gjithmonë të drejtë. Duhen parë shumë situata. Duhet të jesh brenda skuadrës. Por nga momenti që zgjidhjet e trajneri në pjesën e sulmit për tre sulmues dhe të lërë jashtë Cikalleshin, duket nga gjendja aktuale e lojtarëve.
Kam mendimin se nuk na duhet një skuadër vetëm për këtë europian. Kemi eksperiencë nga 2016 dhe ishin 4 lojtarë që nuk u morën dhe pati pakënaqësi dhe këta të katër, tre prej tyre u larguan si Rrahmani apo Rashica. Zgjedhjet janë për të ruajtur të ardhmen e skuadrës. Broja duhet se nuk bën të japi 100% për të ndihmuar skuadrën kombëtare.
Mund të thirrej Cikalleshi duke pasur parasysh kontributin. Trajneri duhet ta shohi vetë si funksionon. Cikalleshi kërkon se s’bën të bëjë grupin dhe nuk mund të them ka bërë mirë apo keq trajneri', thotë trajneri.
Ndërkohë gazetari Ernest Koçi thekson se Sylvinho siç e tha edhe vetë i bëri këto zgjedhje në varësi të kundërshtarëve të vështirë që ka në grup.
'Shumë është përfolur për kriteret. Sot luan kombëtarja me Lishtenshtejnin. Pritet për të parë formacionin dhe kush do jetë në fushë. Përveç mbrojtjes dhe mesfushës që pritet të jetë ajo e kualifikuese. Mungesa e Cikalleshi dhe Uzunin lë pikëpyetje kush do jetë në fushë. Sot pritet që trajneri të përdor futbollist si Daku në majën e sulmit apo Arbër Hoxha në vend të Seferit. Ka patur lum reagimesh.
Është folur shpesh që futbollistët do vijnë në kombëtare të kenë gola apo minuta. Kështu Cikalleshi nuk duhet të mbetej jashtë. Cikalleshi është më i përdorur nga kombëtarja në kampionatin ku luan. Dhe ka udhëhequr ekipin deri në momentin e fundit. Sylvinho tha se ka bërë zgjedhjet në bazë të kundërshtarëve në grup, Italia, Kroacia dhe Spanja. Edhe Uzuni është komentuar, por edhe Kejdi Bare që ka reaguar në rrjetet sociale duke nxjerrë një foto duke qeshur', shprehet gazetari.
Josa nënvizon se përballë kemi Italinë e Spalletit që kudo ku ka shkuar skuadrat e tij kanë luajtur futboll argëtues.
'Nuk ka grup të lehtë dhe të vështirë për nivelin tonë. Kemi ndeshjen e parë që shikohet si ndeshje starti me Itali që ka pasur shumë ulje ngritje që nga europiani i kaluar. Me ardhjen e Spalletit shoh se ka bërë zgjidhje të drejta. Spalleti ka luajtur futboll me ekipet që ka drejtuar. I bën skuadrat të luajnë futboll dhe shumë argëtues', shton Josa.
Gazetari Koçi shton se Spalleti i ka kushtuar mjaft vëmendje të rinjve në grumbullim duke mos harruar që gjithë Italia i ka sytë tek ai për ringritjen e kombëtares.
'Spalleti shpalli Napolin kampion vitin e kaluar dhe në Itali ka shpresë se më të Italia do shpallet sërish kampion. Spalleti befasoi duke lënë jashtë Immobilen, ka preferua tu japi më shumë besim të rinjve. Mori dhe një lojtar si Fagioli që ka luajtur vetëm dy ndeshjet e fundit. Ka menduar të jap zemër duke ftuar 5 yjet e Italisë që kanë veshur fanellën numër 10', tha Koçi.
Sa i përket parashikimeve, Josa thotë se Kroacia është ekipi më i mundshëm që mund t’i marrim pikë në grup.
'Nuk dua të bëj parashikime. Kroacia e ka treguar veten në botëror se çfarë skuadre është. Megjithatë e shoh si më të mundshmen për ti marrë pikë. Kroacia bazohet përsëri tek Luka Modric, ka lojtar të rinj, por besoj se nuk mund të mbahet ritmi kaq gjatë sa e ka mbajtur Kroacia. Nuk është Kroacia e viteve më përpara dhe e ka treguar edhe gjatë ndeshjeve eleminatore.
Spanja luan futbollin e saj, trajneri ka formuar një skuadër. Kam frikë nga mënyra e lojës me shumë pasime, me një qarkullim të dendur të topit. Ka 2-3 lojtarë shumë të mirë. Rodri është një lojtar tek i cili bazohet tërë skuadra tek ai. Ka lojtarë që duan të shpërthejnë. Spanjën do ta krahasoj me PSG në Champions League', shtoi Josa.
Megjithatë ai vlerëson mënyrën si ne do përballemi me këta kundërshtarë.
'Sukses do ishte rivaliteti që do ketë ndeshjet në veçanti. Mënyra si do kundërvihet Italisë, Spanjës dhe Kroacisë. Dhe çfarë do përfitojmë ne nga individualitetet e çdo lojtari. Që skuadra të grumbullojë 3 pikë është sukses i madh. I ka lojtarët brenda për brenda që mund ti godas ndeshjet.'
Koçi shton se mbrojtja e kombëtares sonë është solide dhe dyshime ka vetëm në majën e sulmit, ku pritet një balotazh i fortë mes Manajt, Brojës dhe Dakut.
'Sektorët më të fortë themi se është mbrojtja ku nuk pritet ndryshime në formacion. Pritet balotazh mes Ismajlit dhe Kumbullës. Gjimshiti është në formacion së bashku me Mario Mitaj. Në mesfushë pritet të jetë motori i ekipit Asllani së bashku me Ramadanin. Do më pëlqente që sot të shihnim Arbër Hoxhën dhe Ernest Muçin', thekson Koçi.