Kombinat, Veliaj në pallatet e rindërtuara pas tërmetit: Jemi afër fundit, për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin

5 Shtator, 17:19| Përditesimi: 5 Shtator, 17:22

  • Share

Tirane- Punimet për pallatet e reja në Kombinat, ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti i 2019-ës janë drejt fundit. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inspektoi nga afër punimet të cilat pritet të përfundojnë së shpejti me investimin e rrugëve të brendshme në kompleksin e pallateve.

“Po punohet dhe jemi afër fundit. Për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin, i cili do të organizohet njësoj si me shtëpitë te “5 Maji”. Pra, fëmijët e familjeve zgjedhin me short apartamentin ku do të banojë. Të ketë kismetin dhe sipas riskut që i takon. Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin dhe “5 Majin”. Në të gjitha ato rastet ku nuk kemi procese gjyqësore, bllokime të pronës, ku nuk na del një gjyqtar në ikje e sipër nga vetting-u që të bëjë atë golin e fundit për të na bllokuar punimet këtu a në varreza, a në një çerdhe, a diku tjetër, ne do të vazhdojmë”, tha ai.

Me ritmin që janë duke ecur punimet, Veliaj paralajmëroi se apartamentet e reja për 5 majin dhe Kombinatin priten të jenë gati brenda vitit, ndërsa një mesazh e kishte edhe për opozitën që i ka bërë rezistencë këtyre projekteve.

Forcat politike që u munduan ta shfrytëzonin fatkeqësinë e tërmetit për të na bllokuar, për të na sabotuar, për stërkëmbësha, do të zhgënjehen rëndë. Në finale, njerëzit do të futen në shtëpinë e tyre, një shtëpi shumë herë më e mirë se shtëpia që lane pas. Një shtëpi që është shumë herë më e fortë. Me të mbaruar kolaudimin, ne ia çojmë ministrisë. Me t’i marrë prapë nga qeveria me VKM, ne hedhim shortin dhe pastaj, secila familje merr kohën e vet për të bërë arredimet. Nuk do të mbyllet ky vit pa e mbyllur gjithë historinë e tërmetit, sigurisht për ata që janë nevojtarë, për ata që u takon.

“Kushdo që të bëhet mish për top për partitë dhe të rrijë gjykatave apo të bllokojë rrugën, mund ta bllokojë, nuk ka problem. Bashkia gjithmonë ka vazhduar përpara. U bënë 9 vite që nuk jemi thyer në asnjë nga betejat tona. Qytetarët janë dëshmitarë sot, të paktën te ‘5 Maji’, ku pjesa më e madhe kanë hyrë në shtëpi. Kush bashkëpunoi i pari, fitoi i pari, kush besoi u shpërblye, kush ishte bashkëpunues, mori edhe rezultatin e bashkëpunimit. Kur shikojmë që këto parti shkojnë nga humbje në humbje, dhe tkurren gjithnjë e më shumë, është një apel për qytetarët: Ai që humb vetë, ai që mbytet vetë, nuk shpëton dot njeri tjetër. Ai që nuk rregullon dot partinë e vet, ai që i vë zjarrin zyrës së tij, nuk rregullon dot shtëpitë tona”, u shpreh ai. 

Ndërsa në lagjen 5 maji, pjesa më e madhe e punimeve ka përfunduar dhe shumë shpejt do të hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve për 400 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Veliaj u ndal edhe te projektet e ardhshme të bashkisë, duke përmendur rehabilitimin e lumit të Lanës. Ai tha se pala tjetër do ta përdorë edhe këtë project të bashkisë si alibi për humbjen në zgjedhjet e radhës.

“Thirrja për të gjithë qytetarët, edhe për ata që do të preken nga projektet e ardhshme, siç është projekti i Lanës, është: Ne nuk do të tërhiqemi dhe do të jetë një super projekt. Sigurisht, pala tjetër që do të humbasë zgjedhjet e radhës, do gjejë të Lana ndoshta ‘shpëtimin’ për t’u mbytur në Lanë, do bëjë atë lojën që bën gjithmonë. Por, qytetarët sot kanë 15 prova që me bashkinë dhe qeverinë së bashku, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ka besim dhe bashkëpunim”, u shpreh ai.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?