Komedia “Tango” në ArTurbina, Artan Imami sjell pasigurinë e një lidhjeje, përmes lojës skenike të dy miqve

30 Maj 2019, 15:45| Përditesimi: 30 Maj 2019, 16:09

  • Share

Miqësia dhe dashuria, dy botë brenda njeriut, që s’mund të jenë paralele. Pikat e takimit i gjejmë në një “Tango” teatrale në ArTubrina, që nis me tingujt melankolikë të këngës “Ki me u penue”. Notat e braktisjes, janë të njëjta edhe po ashtu pesha e fjalëve të ndarjes, ndonëse me kohën të tjetërsuara. Artan Imami, kësaj here si regjisor, e sjell pasigurinë e një lidhjeje, përmes lojës skenike të dy miqve të ngushtë, aktorëve Florjan Binaj dhe Ledio Lako.
“Materiali është një material i thjeshtë, midis kabaresë edhe një komedie klasike. Nuk ka ndryshuar fare, është e njëjta ndjenjë, që trondit jetën e të gjithë fatlumëve. Është shakaja e madhe, që na ka bërë natyra, që mos të asgjësohemi si specie”, shprehet regjisori dhe aktori Artan Imami.

Një komedi që të bën të reflektosh, për të vlerësuar atë që ke, duke të bërë të ditur se asgjë nuk është e mirëqenë, as dashuria. Edhe, natyrisht, kujdes me dëshirat, e aq më shumë me kapriçot boshe, sepse ndonjëherë mund të realizohen.

 “Meshkujt janë më të dobët në marrëdhënie me femrat. Lere se çfarë hiqen. Në fakt janë femrat ato që vendosin edhe ato që zgjedhin”, thotë Imami.

Miqësia dhe dashuria, dy shina mbi të cilat është ndërtuar komedia “Tango”, tregojnë se si ato, në qofshin të sinqerta ndihmojnë në ekuilibrimin e harmonisë, e në rrugëtimin e individit drejt së ardhmes.

 “Kjo shfaqje u flet të gjithë njerëzve që kanë mbushur moshën 16 vjeç e sipër. Do të vazhdojë deri në datë 2 qershor në ArTurbina, në 3 qershor do të jetë tek Amfiteatri tek Liqenit”, përfundon Imami.

Rregullat e ndarjes, krenaria e burrit që sipas tyre, duhet të prevalojë, të gjitha janë bërë për t’u thyer. Edhe kështu ndodhë, nën interpretimin e dy aktorëve, që rrëmbyen buzëqeshjet dhe duartrokitjet e publikut.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?