Politikë

Komisioneri Dervishi: Qytetarët janë bërë më aktivë në të drejtën për informim! Bardhi: Ata nuk kanë besim te institucioni juaj

6 Tetor, 14:08| Përditesimi: 6 Tetor, 14:57

  • Share

Qytetarët shqiptarë po ushtrojnë më shumë të drejtën për informimi dhe kjo duket nga të dhënat e deklaruara. Kështu u shpreh Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Në fjalën e tij, Dervishi evidentoi progresin e ndjeshëm në forcimin e transparencës së autoriteteve publike, avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Situata e transparencës në autoritetet publike reflekton përmirësim të dukshëm. Qytetarët shqiptarë janë bërë më aktivë në ushtrimin e së drejtës për informim, siç tregojnë të dhënat e vetëdeklarimit të institucioneve”, theksoi Komisioneri Dervishi, duke nënvizuar se kërkohet më shumë transparencë proaktive dhe përgjegjshmëri nga çdo autoritet publik.

Raporti evidenton se gjatë vitit 2024, 331 autoritete publike kanë publikuar programin e transparencës, 335 kanë caktuar koordinatorin dhe 318 kanë funksionalizuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve.

Në përfundim të monitorimit vjetor, 45% e autoriteteve qendrore dhe të varësisë u klasifikuan me transparencë të lartë proaktive, duke shënuar rritje nga 38% në vitin 2023, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore përmirësuan ndjeshëm performancën, me rritje nga 29% në 41%.

“Këto rezultate tregojnë se transparenca nuk është më një detyrim formal, por po shndërrohet në kulturë institucionale. Megjithatë, ende ka nevojë për përmirësime në publikimin e informacionit dhe në reagimin ndaj kërkesave të qytetarëve”, u shpreh Dervishi.

Zyra e Komisionerit administroi 1,025 ankesa gjatë vitit 2024, një shifër pak më e ulët se një vit më parë, çka lidhet me përmirësimin e përgjithshëm të qasjes dhe transparencës.

Një ndër momentet më të rëndësishme të vitit ishte miratimi nga Kuvendi, në dhjetor 2024, i ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën për organet ligjzbatuese (Direktiva e Policisë).

“Ky ligj modern përbën një hap të madh përpara në mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë. Ai është gjithashtu një kusht kyç në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, theksoi Komisioneri.

Gjatë vitit 2024, Zyra e Komisionerit trajtoi 455 ankesa për cënimin e të dhënave personale dhe zhvilloi 77 hetime administrative, kryesisht në sektorët e arsimit, shëndetësisë, turizmit dhe bankave.

Në përfundim të procedurave, u dhanë 68 sanksione administrative, si dhe rekomandime unifikuese për përmirësimin e masave të sigurisë dhe respektimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Zyra e Komisionerit ka zhvilluar procesin e parë monitorues pranë sistemit të prokurorisë shqiptare dhe SPAK, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga bashkëpunimi me Eurojust.

“Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit institucional dhe për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale edhe në sistemin e drejtësisë”, theksoi Dervishi.

Zyra e Komisionerit ka vijuar një rol aktiv në arenën ndërkombëtare, duke qenë anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu drejtua Komisionerit Dervishi duke i thënë se qytetarët nuk kanë besim te institucioni që ai drejton.

Gazment Bardhi – Komisionerit: Ne duam të dimë si është zbatuar ligji në praktikë. Ju deklaruat se keni qenë i ftohtë gjatë zgjedhjeve. Në fakt, ligji kërkon të mos jesh i ftohtë në mbrojtjen e të dhënave personale. Ju thatë se nuk kemi ankesa. Kjo tregon se qytetarët apo ata që janë cënuar nuk kanë besim tek institucioni juaj. Po ju them pse opozita nuk u drejtua më ju: sepse nuk ka gjetur kurrë zgjidhje dhe nuk ka parë angazhim. Ju thoni se nuk kemi ankesa. Në fakt, ka raste të bëra publike, dhe Komisioneri me ligj detyrohet të nisë hetim edhe kryesisht. Të dhënat sensitive të qytetarëve kanë qenë në duart e partive politike. E ka thënë OSBE: “Sistemi i patronazhimit bie ndesh me standardet ndërkombëtare”. Roli juaj do të ishte të nisnit hetim kryesisht. Nga cila sëmundje vuan dhe çfarë kurimi kërkon, kush ka aplikuar për hipoteka, kush ka aplikuar për leje legalizimi dhe shumë të dhëna të tjera përpunohen nga subjektet politike. A nuk ju shqetëson kjo?

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?