Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në raportin e 2024 evidenton se institucionet shtetërore nuk zbatojnë kuotat ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ndërkaq, diskriminimi politik dhe kushtet e vështira të komunitetit rom mbeten shqetësime të vazhdueshme.
***
Diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara, komuniteteve etnike, bindjeve politike dhe gjinive mbetet një ndër problematikat më të mëdha që shoqëria shqiptare përballet ende sot.
Vitin e kaluar, numri më i lartë i ankesave drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhej pikërisht me këto forma të pabarazisë.
“Personat me aftësi të kufizuar përballen me pengesa serioze për të lëvizur dhe për të marrë informacion. Edhe pse ligji parashikon punësimin e një personi me aftësi të kufizuara për çdo 24 punonjës, asnjë institucion shtetëror nuk e zbaton këtë kriter. Po ashtu, personat që nuk shikojnë nuk përfitojnë dot nga biletat falas per biletat urbane”, thotë komisioneri Robert Gajda.
Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2024, një tjetër shqetësim i evidentuar nga Komisioneri ishte diskriminimi për shkak të bindjeve politike, veçanërisht në pushtetin vendor.
“Kemi raste konkrete të largimeve nga puna që justifikohen me arsye jo bindëse, por që në fakt lidhen me bindjen politike”, thekson Gajda.
Situata alarmante mbetet edhe për komunitetin rom, ku sipas Gajdës, kushtet e jetesës janë nën nivelin minimal të pranueshëm.
“Kemi pas edhe inspektim edhe nga ISHP që ka konstatuar edhe rrezik për epidemi për shkak te kushteve jo jetike nga komuniteti rom”.
Një tjetër formë diskriminimi, sipas raportit të prezantuar, haset edhe tek fëmijët që jetojnë në zona rurale, të cilëve nuk u sigurohet transporti për në shkollë.
“Ka ende shumë raste ku fëmijët detyrohen të ecin kilometra për të ndjekur mësimin. Kjo ka ndodhur për mungesë fondesh siç thonë nga pushteti vendor, por edhe nga fakti që përcaktohet se distanca duhet të jetë mbi 2 km. Por prapë 2 km ecje është shumë”.
Anëtarët e Komisionit për Nismat Qytetare ngritën shqetësimin për gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale, fenomen që është bërë edhe më i dukshëm pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Por, për komisionerin, mungesa e stafit të dedikuar për monitorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale mbetet një tjetër pengesë për të adresuar siç duhet këtë problem në rritje.
Komente
