Komisioneri Publik ka ankimuar ditën e sotme vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë për gjyqtarët e Tiranës, Artan Hajredinaj dhe Ardiana Bera.
Përmes një komunikate zyrtare, Komisioneri Publik sqaron se shkak i ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për rikofirmimin në detyrë të gjyqtarit Hajredinaj është se vetë vendimi dhe disa akte shoqëruese të tij janë të parregullta.
Për këtë Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Tiranës.
“Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 744/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshmin e vendimit nr. 744, datë 19.3.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artan Hajredinaj”,- njofton Komisioneri Publik.
Ndërsa për gjyqtaren Bera, Komisioneri Publik sqaron se shkak i ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për rikonfirmimin në detyrë të saj është se konstaton se vendimi është i cenueshëm, pasi ajo nuk ka arritur të justifikojë pasurinë dhe nuk është konkluduar në arsyetimin e vendimit, lidhur me çështje të vlerësimit të aftësive profesionale.
Për këtë Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtares së Tiranës.
“Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 760/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, konstaton se vendimi i Komisionit është i cenueshëm, pasi subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për kriterin e pasurisë dhe nuk është konkluduar në arsyetimin e vendimit, lidhur me çështje të vlerësimit të aftësive profesionale, që ishin pjesë e hetimit administrativ. Edhe për gjyqtaren Bera, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshmin e vendimit nr. 760, datë 26.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Ardiana Bera”,- njofton Komisioneri Publik.