'Bashkimi Evropian është duke ndjekur nga afër trajtimin e pakicave kombëtare nga autoritetet serbe, posaçërisht komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës', kështu është shprehur Komisionerja e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në një letër të dërguar në adresë të deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kos ka përsëritur në letër se të drejtat e pakicave kombëtare janë pjesë e rëndësishme e angazhimeve që Serbia duhet të përmbushë në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në BE. Ajo ka shtuar se nga Serbia kërkohet të harmonizojë kornizën e saj ligjore për të drejtat e pakicave me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane.
“Në kuadër të kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim, Serbia është e detyruar të zbatojë kuadrin e saj ligjor për të drejtat e personave që u përkasin pakicave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në letër.
Një ndër çështjet kryesore është ajo e pasivizimit të adresave, që ka prekur mijëra shqiptarë në jug të Serbisë.
Kos ka konfirmuar se kjo është përfshirë edhe në raportet vjetore të KE-së për zgjerimin, ndërsa BE-ja do të vazhdojë të kërkojë nga autoritetet serbe llogari për mënyrën se si realizohen kontrollet e statusit të vendbanimit.
"Rreth çështjes specifike të ‘pasivizimit’ të adresave, ne kemi theksuar në raportin tonë të zgjerimit të vitit 2024 për Serbinë nevojën që autoritetet të shpjegojnë më mirë për publikun se si janë duke u kryer verifikimet e statusit të vendbanimit, dhe nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar", ka thën mes të tjerash Kos.
Komente
