Foto nga Konferenca e Kryetarëve

Politikë

Komisionet Parlamentare ende ‘pezull’, PD pa propozime për anëtarët! PS: Sillni emrat, ose nisim punën pa ju

22 Shtator, 07:11| Përditesimi: 22 Shtator, 13:59

  • Share

Opozita dhe mazhoranca e zhvendosën përplasjen në Konferencën e Kryetarëve, ku kryeparlamentari Niko Peleshi thirri mbledhjen për miratimin e anëtarësisë.

Aktualisht janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e PS, por komisionet mbeten jo funksionale për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës. Partia Demokratike nuk dorëzoi listën me propozime për anëtarët, ndërsa ndryshimet e rregullores së Kuvendit paralajmëroi sërish se do t’i çojnë në Kushtetuese.

Çështja do t'i kalojë për miratim seancës plenare e cila do të mbahet të mërkurën në orën 10:00. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të dorëzojë listën me emra, në të kundërt komisionet do të konsiderohen të konstituuar vetëm me shumicën parlamentare.

“Nga 3 grupet parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur propozimet për kryesinë, 4 komisionet tepër të rëndësishme pas vendimit të kuvendit i takojnë opozitës dhe 7 nënkryetarë i takojnë opozitës, duhet domosdoshmërisht që deri ditën kur do ketë seancë, të kenë ardhur”, tha Balla.

Në mungesë të kreut të grupit demokrat Gazment Bardhi, i cili është i përjashtuar për shkak të kaosit, kërkesat e opozitës i parashtroi deputeti Agron Gjekmarkaj. Ai bëri edhe njëherë thirrje për ripërsëritjen e seancës për prezantimin e programit qeverisës, si edhe kërkesën për shkarkimin e Niko Peleshit.

“Ju kryetar e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet te mblidhni menjëherë këshillin e legjislacionit për mocion e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet”, u shpreh Gjekmarkaj.

Përgjigjen ia dha kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i cili thotë se kryetari i Kuvendit zbatoi rregulloren.

“Kryetari zbaton vetëm rregulloren, nuk ka bërë asnjë shkelje. Kërkesa juaj është e pabazuar”, ka thënë Balla.

PD i ka caktuar drejtuesit e 4 komisioneve parlamentare që i takojnë asaj dhe nënkryetarët e atyre që drejtohen nga mazhoranca, por këto emra nuk janë votuar pasi selia blu nuk i dërgoi zyrtarisht në Kuvend.

Miratuar në seancë plenare, janë vetëm emrat e kryetarëve dhe zv/kryetarëve të komisioneve nga radhët e socialistëve, ndërsa me plotësimin edhe me anëtarë këto komisione bëhen plotësisht funksionale.

Kërkesa e opozitës për ripërsëritjen e seancës vjen pas kaosit të së enjtes, ku penguan kryeministrin Edi Rama të prezantojë programin qeverisës. Seanca zgjati vetëm 25 minuta dhe PS e kaloi në votim direkt. 

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat - Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike - Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes - Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm - Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Do të drejtohet Blendi Klosi 
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale - Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet - Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Evis Kushi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Bardh Spahia, Eduard Shalsi (PS) Nënkryetar
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Do të drejtohet nga Jorida Tabaku, Iris Luarasi  (PS)  Nënkryetare
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën - Do të drejtohet nga Ina Zhupa, Erjon Malaj (PS)  Nënkryetar

Ora 12:35
Balla thirrje opozitës: Sillni propozimet për anëtarët, komisionet konsiderohen të konstituara edhe vetëm me shumicën

 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i ka bërë thirrje opozitës që të sjellë emrat e anëtarëve për komisionet parlamentare. Në të kundërt, Balla tha se komisionet konsiderohen të konstituara edhe vetëm me shumicën.

Balla: Të sjellë në Konferencën e Kryetarëve propozimet e tyre për përbërjen e komisioneve. Nga 3 grupet parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur propozimet për kryesinë, 4 komisionet tepër të rëndësishme pas vendimit të kuvendit i takojnë opozitës dhe 7 nënkryetarë i takojnë opoziotës, duhet domosdoshmërisht që deri ditën kur do ketë seancë, të kenë ardhur.

Gazetarët: Në rast se nuk i sjellin?

Balla: Pyesni opozitën. Në aspektin procedural komisioni konsiderohet i konstituar kur shumica është prezent. Edhe në rastet ku drejtimin e ka opozita, mbledhja mund të iniciohet me 1/4 të firmave të anëtareve, shpresoj që opozita të sjellë sa më shpejt, Kemi pasur një përgjigje sa i përket dy kërkesave të opozitës. Nga ana e PD, i cili ngriti shqetësimin për mospjesëmarrjen e Bardhit në mbledhje. As unë nuk e di pse nuk ka qenë.

Gzetarët: Sepse e keni përjashtuar ju.

Balla: Kryetari i grupit të PD është përjashtuar nga mbledhjet e komisionit dhe të seancës, por jo nga mbeldhjet e Konferencës së kryetarëve. Sipas Kushtetueses, deputeti përjashtohet nga seanca apo komisionet, por ja nga aktivitetet e tjera parlamentare.  

Ora 12:19
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, Gjekmarkaj: Do i çojmë në Kushtetuese! Të anulohen dënimet absurde për opozitën

 

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin e opozitës se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit do t’i çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, Gjekmarkaj shtoi se në mbledhje kërkoi anulimin e dënimeve për dy deputetët e opozitës, Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka.

“Kërkova ripërtëritjen e seancës, kërkova të mblidhet Komisioni i Legjislacionit që të shihet mundësia për mocion ndaj Peleshit, të anulohen dënimet absurde të një rregulloreje absurde të kësaj mazhornace për të dënuar deputetë e opozitës dhe të mos ketë asnjë pengesë për mediat në Kuvend. Do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese.

Ne ende nuk kemi marrë një vendim, në momentin që organet e PD do kenë një vendim, ju do jeni të parët që do e merruni vesh. Ne do shfrytëzojmë çdo hapësirë që jep institucioni i Kuvendit, për të komunikuar të vërtetën e opozitës dhe për tu përballur me këtë mazhorancë arrogante, e patë si e nisi Kuvendi në tentativë për të zmbrapsur atë në qoshe”, tha Gjekmarkaj.

Ora 11:50
Opozita kërkon shkarkimin e Peleshit, Balla në Konferencën e Kryetarëve: Ka zbatuar rregulloren

1758011072_taulantballa.jpeg

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur opozitës e cila edhe në Konferencën e Kryetarëve kërkoi shkarkimin e Niko Peleshit, pas seancës që zgjati vetëm 25 minuta dhe u miratua programi qeverisës.

Mësohet se Balla është shprehur se kryetari ka zbatuar vetëm rregulloren.

“Kryetari zbaton vetëm rregulloren, nuk ka bërë asnjë shkelje. Kërkesa juaj është e pabazuar”, ka thënë Balla.

Ora 11:47
‘Mund të sillni Qenin Rex e ta paraqisni si Ministër të Brendshëm’, Gjekmarkaj në Konferencën e Kryetarëve: Të ripërsëritet seanca për programin, Peleshi të shkarkohet

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj ka kërkuar sërish në Konferencën e Kryetarëve ripërtëritjen e seancës për prezantimin e programit të qeverisë dhe votëbesimit të kabinetit. Gjekmarkaj në fjalën e tij mësohet të ketë thënë se mazhoranca e provokoi opozitën, ndërsa përsëriti kërkesën e tij për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

Me ironi për ‘Diellën’, Agron Gjekmarkaj tha se “mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të leh për 10 minuta.”

"Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte me urdhra politik po tentoni të asgjësoni opozitën dhe parlamentin. Ju kryetar u shfaqet si atentator. Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës. Ju përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë ku nuk donit të shfaqnit qeverinë provokuat opozitën. Ju kryetar e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet te mblidhni menjëherë këshillin e legjislacionit për mocion e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet. Ju nesër mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të leh për 10 minuta. Tek mazhoranca socialiste ekzistojnë sot vetëm 2 liri. Liria për tu servilosur dhe liria për të shërbyer. Këshillë miqësore, merrni masa se do të ketë pasoja", tha Gjekmarkaj. 

Ora 10:58
PS mbledh grupin parlamentar, ndan deputetët në komisione

 

Para zhvillimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, PS zhvilloi mbledhjen e grupit parlamentare. Mësohet se në mbledhje, kreu i grupit ka komunikuar edhe ndarjen e deputetëve në 11 komisionet e përhershme parlamentare.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?