Politikë

Kuvendi i ri/ Mazhoranca i merr PD-së 'Integrimin', e kompenson me 'Të Drejtat e Njeriut'! Komisionet ndahen 7 me 4

29 Gusht, 16:24| Përditesimi: 29 Gusht, 17:58

  • Share

Opozita mund të mbetet jashtë “Integrimit”. Burime i thanë Report TV se, me ristrukturimin e komisioneve parlamentare, të cilat do të shtohen nga 8 në 11, mazhoranca synon të shkrijë në një të vetëm Komisionin për Çështjet Europiane, që është drejtuar historikisht nga opozita, me atë të Politikës së Jashtme, duke i marrë kështu opozitës drejtimin e një prej komisioneve më të rëndësishëm që ajo ka drejtuar.

Megjithatë, mazhoranca synon ta kompensojë këtë spostim, duke i lënë opozitës drejtimin e një komisioni të ri: atij për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Projekti fillestar parashikon ndarjen e Komisionit të Ligjeve në dy: Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, drejtimi i të cilit, për kompensim, mund t’i lihet opozitës.

Burime i thanë Report TV se ndarja në 11 komisione synon të realizohet në përputhje me kapitujt e negociatave për të lehtësuar punën parlamentare.

Drafti parashikon që 11 komisionet e përhershme parlamentare të ndahen në këtë mënyrë: 7 komisione do të drejtohen nga mazhoranca, ndërsa 4 nga opozita.

Sinjalin e parë të një ngërçi me mazhorancën e dha bojkoti që PD-ja i bëri mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Europiane jashtë sesionit parlamentar, në pritje të konstituimit të parlamentit të ri, ku PS votoi e vetme pozicionin negociues për grupkapitullin V “Bujqësia dhe Kohezioni”.

Socialistët, nga ana tjetër, mbeten nën “ethet” e krijimit të qeverisë së re dhe ndarjes së detyrave në parlament.

Asambleja e Partisë Socialiste, ku Rama pritet të njoftojë publikisht emrat e kabinetit të ri qeveritar, do të mbahet më datë 11 shtator, ndërsa Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, pritet të mblidhet më 12 shtator.

11 KOMISIONE TË PËRHERSHME
-Komisioni për Çështjet Ligjore
-Komisioni për Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
-Komisioni për Integrimin Europian, Komisioni për Politikën e Jashtme (bashkohen)
-Komisioni për Ekonominë dhe Financat
-Komisioni për Sigurinë Kombëtare
-Komisioni për Bujqësinë
-Komisioni për Burimet natyrore
-Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin;
-Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
-Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
-Komisioni Xhafaj

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    ‘Çmendet' trafiku, kush e ka përgjegjësinë?