75.5 milionë euro është kredia e re që qeveria do të marrë nga BERZH për pastrimin e mjedisit dhe investimin në infrastrukturën e bashkive ku kalon Lumi Vjosë, si Vlorë, Selenicë, Këlcyrë, Përmet e deri në Gjirokastër.
“Objektivat që projekti synon të arrijë lidhen direkt me promovimin e qasjeve të integruara qarkulluese, për mbrojtjen e peizazheve dhe burimeve ujore, për uljen e ndotjes në Lumin Vjosa dhe për zgjerimin e infrastrukturës sanitare në këto zona”, tha zëvendësministrja e Turizmit Almira Xhambulla.
Për projektligjin e miratuar në komisionet parlamentare nuk munguan as akuzat nga opozita për keqpërdorim të fondeve.
“Është gati 15% e projektit që shkon për sensibilizime, trajnime, mbështetje psikologjike për punonjësit e ndërmarrjeve ujësjellës-kanalizimeve, jeni të turpshëm”, tha deputeti i PD-së Helidon Bushati.
“Do të jepen më shumë se 2.5 milionë euro që të sensibilizojmë nxënësit e këtyre shkollave përreth lumit Vjosa që të mos e ndotin. Edukimi për të mos ndotur nis që në klasën e parë në çdo shkollë, por do të shkojnë për fushatë elektorale. Mua më duken projekte korruptive”, tha deputeti i PD-së Xhelal Mziu.
“Si ka mundësi që një pjesë e këtyre fondeve, që është skandaloze, rreth 15 milionë euro shkojnë për konsultime, ndërkohë që me 20 milionë euro ju ndërtuat inceneratorin e Elbasanit, dhe 24 milionë euro ndërtuat inceneratorin e Fierit. Keni ndryshuar strategji? Keni dështuar me inceneratorët? Jeni kthyer tek strategjia që përdor Evropa me riciklimin?”, tha deputeti i PD-së Lefter Gështenja.
Kredia e marrë duhet të shlyhet për 22 vite ndërsa për 6 vjet është pa pagesë principali. Ndërkohë qëllimi i këtij projekti është të reduktojë ndotjen nga burimet tokësore në mjedisin ujor, pasi do të ngrihen impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, do ketë masa parandaluese për ndotjen si dhe do të ketë fushata sensibilizimi për ndarjen e mbetjeve në burim.
Në komisionet parlamentare Ministria e Turizmit ka deklaruar se për shkak edhe të bumit turistik, si rezultat i aktivitetit ekonomik dhe familjeve që jetojnë përgjatë lumit Vjosë, është rritur ndotja, prandaj duhet ndërhyrë. Lumi Vjosa i vetmi i egër i mbetur në Evropë, u shpall nga qeveria më 15 mars 2023 Park Kombëtar.