Kuvend

Komisioni anti-korrupsion, një nismë ëngjëllore apo djallëzore?

1 Qershor, 20:13| Përditesimi: 1 Qershor, 20:15

  • Share

Shqipëria është ndoshta vendi që thyen çdo rekord për reformat anti-korrupsion që ka ndërmarrë në 34 vite tranzicion. Madje këtu te ne ekziston edhe një ministri anti-korrupsion, gjë e cila nuk gjendet në asnjë vend të botës. Ndoshta në ndonjë vend afrikan ku korrupsioni dihet që është galopant. E megjithatë, Shqipëria në të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme renditet në vendet me korrupsion të lartë. Që në këtë qeveri korrupsioni është i madh, nuk është më opinion por një fakt.

Edhe pse Shqipëria ka të gjitha këto reforma kundër korrupsionit, e vetmja gjë që ka ndryshuar në luftën kundër tij është puna e SPAK. Nëse nuk do të ishte për hetimet dhe aktivitetin e SPAK, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri do të ishte po njësoj si në 34 vite. Shumë reforma, shumë ligje, shumë nisma dhe asnjë rezultat.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto reforma, agjenci apo dhe ministria kundër korrupsionit, mazhoranca së fundmi ka propozuar ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të ketë si synim luftën kondër korrupsionit nëpërmjet nismave ligjore apo masave të ndryshme, gjë të cilën e paraqet si detyrim të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është se si politika shqiptare e cila e ka krijuar korrupsionin shqiptar mund ta luftojë atë? Si mundet që krijuesit e problemit të jenë zgjidhësit e tij?
Por më e rëndësishmja, përse pikërisht tani? Përse pikërisht tani kur lufta kundër tij po kryhet pak a shumë në mënyrë efikase nga SPAK? Ç’kuptim ka që një qeveri pas 11 vitesh në pushtet vendos një ditë të bukur se ajo ka vullnetin të luftojë korrupsionin, aq me tepër në fund të mandatin?

Sigurisht këto janë pyetje retorike. Përgjigjet gjithsecili mund ti japë vetë.
Vullnetin e politikës shqiptare për ta luftuar korrupsionin e kemi parë në 34 vite dhe i dimë rezultatet. Atë që s’kishim parë dhe po e shohim sot, është vullneti i një organi të drejtësisë për të luftuar korrupsionin siç është SPAK.
Momenti i zgjedhur për të krijuar një komision që i parapriu një rezolute mund të ketë disa arsye.

E para, sepse korrupsioni është kthyer tashmë në problemin kryesor të qeverisë. Në këtë kuptim, Edi Rama dhe mazhoranca kërkon ta kurojë këtë problem. Mënyra më e mirë, sigurisht është të kthehesh nga i akuzuar në zgjidhës të problemit. Pra, kjo qeveri në vend që të japë llogari për korrupsionin e saj po merr flamurin e luftës kundër tij. Duket si një skizofreni politike, por lufta kundër korrupsionit do të jetë kali i betejës së Ramës në zgjedhjet e ardhshme.

E dyta, fakti që Rama po fton të gjitha forcat politike në këtë nismë, parlamenare ose jo, shoqërinë civile apo ekspertë të ndryshëm, kërkon që korrupsionin ta paraqesë si një fenomen kulturor dhe një gjendje të pashmangshme të Shqipërisë. Dhe në këtë mënyrë, të lajë duart nga përgjegjësia e tij. Sa më shumë pjesamarrës në këtë ‘’luftë’’, aq më shumë humbet përgjegjësia e tij dhe e qeverisë së tij.

E treta, dyshimi më i madh se përse ngrihet ky komision në këtë moment, është pikërisht për të penguar avancimin e SPAK në hetimet kundër korrupsionit në nivele të larta të politikës. Çdo ditë përpara SPAK paraqiten zyrtarë të lartë të qeverisë. Shumë bashkëpunëtorë të Ramës janë sot nën akuzë apo edhe mbrapa hekurave. Edhe pse Rama shprehet se është vullneti i tij që kjo gjë po ndodh dhe do të marrë meritat, ai e di fare mirë që kundërshtari i vërtetë i pushtetit të tij është SPAK. Pa dashur, SPAK është kthyer në opozitarin kryesor të kësaj qeverie.

Dhe në këtë betejë, në luftën kundër SPAK, ka një aleat të madh. Është rithemelimi që drejtohet nga Sali Berisha, i cili betejën e tij politike kryesore e ka pikërisht në delegjitimimin e SPAK. Çdo ditë, nuk bënë gjë tjetër veçse sulmon SPAK, madje e quan atë organizatë kriminale. Në këtë pikë, Rama dhe Berisha takohen. Për shkak të kësaj politike, një pjesë e opozitës shqiptare po humbet kauzën e saj kryesore, atë të luftës ndaj korrupsionit.

Për të gjitha këto arsye, nisma e mazhorancës për të ngritur komisonin e posaçëm në luftën kundër korrupsionit ngjan më shumë si një nismë djallëzore sesa ëngjëllore. Nëse opozita shqiptare do të bëhet pjesë e kësaj farse, nëse do të “luftojë’’ korrupsionin me njeriun që e konsideron si kryeministrin më të korruptuar në botë, padyshim do të humbasë besueshmërinë njëherë e përgjithmonë. Megjithëse shenjat e bashkëpunimit me Ramën në parlament i ka dhënë. Që nga votimi i amnistisë që liroi njërëz të korruptuar e deri të Reforma Zgjedhore.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?