TIRANE- Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi, akuzon mazhorancën se po përpiqet të bllokojë punën e komisionit, për të mos zbardhur shkeljet e bëra në këto kontrata.
Sot, një muaj që PS me urdhër të Ramës për të mos bërë transparencë dhe për të mbuluar korrupsionin galopant në shëndetësi kanë vendosur të bllokojnë kërkesat për informacion. Një muaj refuzojnë të kalojnë në komision kërkesat. Ekspertët e PD Franci Nuri dhe Meri Likaj janë dakordësuar për numrin më të madh të shkresave vetëm për 3 shkresa ekspertët e PS kërkuan të heqin fjalët korrupsion madhor si dhe refuzonin të jepeshin emrat e personave që kanë kryer Check-Up-in. Këtu është shkelja më e madhe”– tha Vokshi sot në një deklaratë për median nga selia e kryesisë së Kuvendit.
Ndër të tjera i kërkoi kryetares së Kuvendit të marrë masa ndaj ligjvënësit socialist Petro Koçi, ndërsa akuzoi socialistët se intimiduan ekspertët.
Plarent Ndreca ka fyer, kërcënuar dhe intimiduar ekspertët. Petro Koçi ka kryer veprime të papraneshme ndaj Zheni Gjergjit. Ka përdorur një gjuhë shantazhuese dhe intimiduese ndaj kësaj zonje të nderuar. I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të marrë masa ndaj Koçit për fyerjet që ka bërë dje ndaj Zheni Gjergjit”- tha Vokshi.
Mbledhja e djeshme e cila zgjati për dy orë, nuk prodhoi asgjë. Palët akuzuan njëra tjetrën për zvarritje të punës ndërsa shtynë për të enjten miratimin e planit të hetimit.
Report tv dhe Shqiptarja.com kanë siguruar planin hetimor të Partisë Socialiste për Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për koncesionet për Sterilizimin dhe Check Up, i cili do të dakordësohet me atë të propozuar më hertë nga opozita. PS ka propozuar që hetimet të shtrihen që nga 2009. Sipas PS-së duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë që nga dhjetori i 2006, kohë kur ka qeverisur Sali Berisha.