Seanca dëgjimore e parashikuar në rendin e ditës në komisionin për Edukimin, Shkencës dhe Sporteve me prezencë të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së kësaj të fundit. Ministrja Kumbaro delegoi në seancë zëvendësen e saj së bashku me dy përfaqësues të ministrisë për të prezantuar masat e marra për fillimin e vit të ri shkollor në ciklin parauniversitar.
“Ministrja duhet të ishte këtu të jepte llogari për shkollat, për nxënësit që mungojnë dhe shumë gjëra që na shqetësojnë të gjithëve. Nuk mund të vazhdojmë me zv.ministren. Unë mendoj që niveli i raportimit në këtë komision është në nivel mistri. Nuk mund të vazhdojmë ne mbledhjen me zv.ministren”, është shprehur Erisa Xhixho.
Fjala e saj është mbështetur dhe nga demokrati Luan Baçi, i cili mungesën e ministres Kumbaro në komision, e ka cilësuar si shmangie nga llogaridhënia.
“Njoftimin e kemi marrë që do kemi një seancë me ministren. Ka qenë traditë në komisione, gjithmonë kur janë bërë dëgjesa, ministrat gjithmonë kanë deleguar zëvendësues ose drejtorë. E mbajnë veten për persona shumë të lartë dhe nuk japin llogari përpara komisionit. Nuk jam dakord ta vazhdojmë këtë seancë”, tha Baçi.
Kryetari i komisionit Luçiano Boçi është shprehur se kjo seancë nuk mund të vazhdojë pasi ishte vetë ajo që caktoi datën dhe orën kur do të paraqitej në komision dhe më pas delegoi zëvendësen e saj.
“Jam për të zbatuar rregulloren dhe për të respektuar kushtetutën. Besoj këtë gjë po bëj që po kërkoj praninë e m. Kam një lloj çudie se Baçi e tha dhe ne vetë si komision kemi marrë një vendim. Ne të gjithë si anëtarë kemi bashkë dakord që në seancë dëgjimore të jetë e pranishme domosdoshmërish ministrja e Arsimit. E kërkon rregullorja e këtij komisioni. Patjetër që ajo kishte të gjithë kohën në dispozicion të caktonte datën dhe orën dhe të ishte prezente.
Mu transmetua që është data 6 ora 11 dita që ministrja ka vendosur të vijë në komision për seancë dëgjimore. Unë dua nga të gjithë ne që në radhë të parë të respektojmë vendimet tona. Nuk kemi asgjë me zv.ministren dhe përfaqësuesit e tjerë të ministrisë. Zv,ministrja mund të kapet me cigare dhe nesër nuk është më zv.ministër. Do të caktojmë një datë tjetër dhe një orë tjetër që të jetë prezente dhe ministrja e Arsimit”, tha kryetari i komisionit.
Ndërkohë zv, kryetarja Evis Kushi u shpreh se ministrja sot ndodhet në Shkodër për nisjen e vitit të ri akademik dhe se ajo kishte lajmëruar zyrtarisht që nuk do të ishte pjesë e komisionit nëpërmjet një e-maili.
“Ministrja qenka në Shkodër për fillimin e vitit të ri akademik dhe duhet të jeni të kënaqur që ka zgjedhur Shkodrën meqë jeni dhe drejtues politik. Ministria ka sjellë një email ku ka informuar që në këtë mbledhje do marri pjesë zv.ministrja me dy përfaqësues të tjerë. Ministrja ana ka informuar zyrtarisht, ne si kryesi e kemi diskutuar me ju kryetar sigurisht ju i keni qëndruar kësaj këmbëngulje, ndërkohë që me të gjitha argumentet ne pjesa tjetër, kemi zgjedhur që mbledhja të zhvillohet me zv.ministren. Ne si shumicë kërkojmë që ta hidhni në votë, dhe të vendosi komisioni”, tha Evis Kushi.
Seanca u pushua për 5 minuta me kërkesë të zv,kryetares së komisionit Evis Kushi, e cila kërkoi kohë për t’iu referuar nenit për të vijuar seancën dëgjimore me prezencë të zëvendësministres. Në fund kryetari Luçiano Boçi vendosi mbylljen e seancës dhe caktimin e një tjetër date për paraqitjen e ministres së Arsimit në seancë dëgjimore.
Komente
