Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi ditën sotme mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 11 Majit në vijim të punëve në Kuvendin e Shqipërisë. Në fokus të diskutimit ishin ngjarja në shkollën e Gramshit si dhe procesi i maturës shtetërore.
Kryetarja e komisionit dhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kërkoi mbajtjen e një dëgjese publike për të sqaruar të dyja çështjet, veçanërisht çështjen e Gramshit, ku ajo mendon se Ministria e Arsimit ka përgjegjësi lidhur ngjarjen. Ndërsa nga mazhoranca, deputetja Evis Kushi u shpreh dakord për marrjen e informacionit të plotë lidhur me incidentin në Gramsh.
‘Ministria e Arsimit ka përgjegjësi për ngjarjen e Gramshit. Edhe për çështjen e Gramshit dhe për maturën shtetërore unë mendoj se duhet të caktojmë një dëgjesë që të japë shpjegimet e duhura për të dyja çështjet. Ministrja duhet të vijë në Komision. Duhet të kërkojmë përgjegjësi siç na takon, sepse jemi këtu për të garantuar më të mirën, sidomos në interes të fëmijëve, dhe jo për t’i bërë fresk pushtetit që rritet në mënyrë jo proporcionale dhe jo logjike.’-tha Zhupa.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ish-ministre e Arsimit, u shpreh se ndan shqetësimin mbi rastin e Gramshit, duke e konsideruar një çështje me ndjeshmëri të lartë publike.
‘Shumë shkurt, unë desha të bashkohem me ju për shqetësimin në ngjarjen e Gramshit. Padyshim që është një ngjarje e rëndë që të gjithëve na shqetëson, sepse shëndeti i fëmijëve tanë është parësor. Mendoj se duhet të marrim informacion të plotë mbi ngjarjen. Ende nuk dihet nëse janë bërë publike plotësisht arsyet dhe shkaktarët.’- tha Kushi.
Në përfundim u caktua që ditën e nesërme, dita e Komisionit do të shfrytëzohet për të ezauruar këto dy çështje.
Në fakt sipas kompetencave të përcaktuara nga ligji për vetëqeverisjen vendore dhe legjislacioni mbi arsimin parashkollor, përgjegjësia për funksionimin, sigurinë dhe administrimin e kopshteve publike u përket njësive të qeverisjes vendore, përkatësisht bashkive. Ministria e Arsimit nuk ka rol ekzekutiv apo mbikëqyrës të drejtpërdrejtë në administrimin e kopshteve, duke e bërë kësisoj kërkesën për përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga ky institucion, jo vetëm të paqartë, por edhe keqinformuese për publikun.
Komente
