Komisioni i Ekonomisë jep 'ok' për nisjen e negociatave për ndërtimin e Skavicës!  Balluku: Kontrata do nënshkruhet me dy faza

19 Mars 2021, 15:58| Përditesimi: 19 Mars 2021, 17:41

  • Share

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin që i hap rrugën negocimit të kontratës me shoqërinë amerikane Bektel për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. E pranishme online në komision ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ka shpjeguar edhe procedurën me dy faza që do të përdoret për nënshkrimin e kontratës.

“Kontrata e parë e nënshkruar mes BEKTEL dhe KESH do të përgatis terrenin përmes studimeve dhe projektimeve për të kaluar në kontratën e dytë. Pas 6 javësh BEKTEL sjellë propozimin, më pas 30 ditë për të dakordësuar kontratën. Ndërkohë që kontrata e fazës së dytë është kontrata e cila ka të bëjë me negocimin për projektin e detajuar dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në Kaskadën e Drinit nga kompania Bechtel Internacional ose kompani bija të cilat do të marrin përsipër këtë ndërtim”, u shpreh ministrja Balluku.

Faza e parë e projektit do të financohet nga KESH ndërsa për fazën e ndërtimit të HEC-it të Skavicës ende nuk është siguruar financimi.

“Këtu nuk kemi një status strategjik të investitorit pasi investimi do të bëhet përmes fondeve të vëna në dispozicion nga KESH-i për kontratën e parë dhe ndërkohë për kontratën e dytë ne po punojmë në bashkëpunim si me DFC-në ashtu edhe me Bechtel Internacional për gjetjen dhe sigurimin e financimit të huaj i cili do të vijë në formën e kredisë kështu që Bechtel-i ka formën e partnerit përsa i përket ndërtimit dhe nuk i duhet në këtë rast bazuar në ligjin shqiptar që të ketë edhe statusin e partnerit strategjik”, u shpreh Balluku.

Hidrocentrali pritet të ketë një ndikim të lartë në prodhimin e energjisë elektrike në Kaskadën e Drinit, si dhe do të ndikoj në rritjen e prodhimit të tre hidrocentraleve ekzistuese në këtë Kaskadë si dhe do shmang përmbytjet në Nënshkodër.

Në projektligj janë të listuara edhe afatet e negocimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes nëse propozimi dhe studimet që do të kryhen do të rezultojnë të suksesshme. Edhe pse ende nuk ka një vlerë finale për koston e projektit, sipas dy alternativa të mëparshme që qeveria kishte për Skavicën, njëra vlerë ishte 308 mln dhe tjetra 510 mln euro.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?