Foto e marre sot nga mbledhja e Komisionit te Ekonomise

Komisioni i Ekonomisë miraton dy projektligje të rëndësishme! I jep ‘OK’ ratifikimit të marrëveshjes së huas me BERZH për reagimin ndaj emergjencës COVID

1 Dhjetor 2020, 16:38| Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 21:54

  • Share

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e radhës dy projektligje, atë “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri” si edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Kesjana Halili, Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit, u shpreh gjatë prezantimit se projektligji i parë “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri”, synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri, në shumën prej 60 milionë eurosh.

“Shuma totale e financimit të programit është 100 milionë euro, nga ku: 40 milionë euro grant dhe 60 milionë euro hua”, theksoi Halili.

Relatori i projektligjit Vullnet Sinaj tha se ky program synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe do të zbatojë e testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive: Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, të ftuar “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri” ishin Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Kesjana Halili,  Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Prodani gjatë prezantimit u ndal tek objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji, që janë parandalimi, zbulimi dhe reagimi ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimi i sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me 3 shtylla kryesore si: fuqizimin e funksioneve kryesore të shëndetit publik për frenimin, parandalimin e përhapjes së COVID-19, fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve, që lidhen me të dhe së treti mbështetjen për masat e distancimit fizik dhe komunikimin në distancë”, theksoi ndër të tjera Prodani.

Pas diskutimeve, sugjerimeve dhe komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?