Komisioni i Ekonomisë miraton rishikimin e buxhetit 2021! KQZ merr 19.6 mln € për identifikimin elektronik! Opozita: Fondi për ta është shumë i lartë

17 Shkurt 2021, 18:03| Përditesimi: 17 Shkurt 2021, 18:28

  • Share

Është miratuar në Komisionin e Ekonomisë rishikimi i parë i buxhetit të vitit 2021, ku janë rritur të ardhurat me 3.42 miliardë lekë, dhe që kanë në fokus plotësimin e nevojave që ka KQZ-ja për zgjedhjet e 25 prillit.

‘Arsyet për këtë ndryshim janë të lidhura ngushtësisht me procesion e zgjedhjeve, dhe konkretisht shpenzimet lidhen me ndryshimet në kodin zgjedhor. Janë shtuar 2.42 miliardë lekë në shpenzimet e brendshme të KQZ-së për financimin e projektit të identifikimit elektronik në zgjedhje. Kemi rritur me 1 miliardë lekë fondin rezervë, po për të përballuar zgjedhjet dhe ngjarje që mund të ndodhin si pasojë e pandemisë COVID-19. Të gjitha parametrat e tjera si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara. TVSH-ja ka pasur ulje më të vogël se sa skenari ynë. Ne kemi vënë në fokus miradministrimin fiskal dhe rritja e të ardhurave janë element kthese për ekonominë”, u shpreh ministrja e financave Anila Denaj.

Të gjitha këto të ardhura pritet të mblidhen nga TVSH-ja, me në fokus miradministrimin fiskal, sipas ministres së Financave Anila Denaj. Ndërkohë nga opozita ky fond është konsideruar i lartë.

“Sa objektiv dhe realistë jemi me këto të ardhura që presim. A mendoni se në këtë moment fonde kaq të larta janë të rëndësishme për këtë proces zgjedhor? A nuk do ishte më mirë që këto 28 milionë euro të shkojnë për bizneset në vështirësi?”, ishin këto pikëpyetjet që ngriti deputetja e opozitës Edlira Hyseni.

Kritika për këtë fond ka pasur edhe nga deputeti Myslim Murrizi, i cili tha se fondi i përcaktuar nga qeveria prej 2.42 miliardë lekësh për identifikimin elektronik duhet të paguhej nga ndërkombëtarët bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit.

“Ky akt normativ vjen si pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit ku thuhet tjetër gjë, që identifikimi biometrik merret përsipër nga BE dhe OSBE, dhe kushton 15 milionë euro, pse u rrit deri në këtë vlerë tani dhe shkoi 20 milionë euro”, tha deputeti i opozitës Murrizi.

Pas rishikimit buxheti nga 484,1 miliardë lekë ka shkuar në 487.5 miliardë lekë me një rritje prej 3.4 miliardë lekësh. Nga ana tjetër janë rritur edhe shpenzimet me 3.4 miliardë lekë, nga 592.8 miliardë që ishte ka vajtur në 596.2 miliardë lekë.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?