Të gjithë deputetët e Komisionit të Ekonomisë votuan pro rrëzimit të dekretit të presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim ligjin për zgjatjen e afatit të koncesionit të Aeroportit Nënë Tereza me 13 vite.
Përfaqësuesit e presidencës e kanë konsideruar jo të ligjshme shtyrjen e afati, pasi sipas tyre nuk pati konkurrim. Akuza këto që kanë marrë përgjigje nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
“Referuar shtimit të kohëzgjatjes me 13 vite të tjera shtesë më e gjatë se gjysma e afatit të vetë kontratës, e bën praktikisht të jemi me një koncesion të ri”, u shpreh Bledar Dervishaj këshilltari ligjor i presidentit Meta.
“Ju vetë jeni të qartë që ky nuk është koncesion i ri pasi nuk ka ndryshuar asnjë parim thelbësor i kësaj kontrate, është një negociatë e nisur në 2020 me shoqërinë koncesionare”, ju përgjigj Balluku.
Presidenca ka ngritur pyetje edhe për përfitimet që ka shteti nga zgjatja e kontratës.
“Kush ka qenë përfitimi i shtetit dhe i koncesionarit për shfrytëzimin e këtij aseti me koncesion?”, tha Dervishaj.
“Ka në bazën e tij krijimin e kushteve për shërbime më cilësore dhe uljen e çmimeve që është synim kryesor, të dyja janë akomoduar me ndryshmin e kontratës në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit”, pohoi Balluku.
Kompania private që bleu aksionet e aeroportit për 71 milionë euro ka pranuar që do të investojë 100 milionë euro dhe do të bëjë të mundur fluturimet trans-oqeanike, do rris sigurinë e aeroportit dhe ul çmimet për pasagjerët.