TIRANË- Presidenti Ilir Meta duhet të ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve që është zhvilluar ditën e sotme për nismën për shkarkimin e tij, por ai e ka refuzuar këtë ftesë duke listuar një sërë arsyesh. Në përgjigjen e tij 13 faqe, Meta ka thënë se nuk i është dhënë asnjë sqarim se përse po thirret dhe letrën e tij duke thënë se është gati të vijë në datë 10 maj, e cila përkon dhe me 'Ditën Kombëtare të Drejtësisë'. Nisur nga fakti që mazhoranca ka planifikuar shkarkimin e tij me këtë Kuvend me argumentin se ka shkelur Kushtetutën, Meta ka hedhur akuza të njëpasnjëshme për këtë parlament që e quan "një partiak dhe në shërbim të pushtetit".
Sipas kreut të Shtetit, Kuvendi prej dy vitesh po përpiqet që të godasë Presidencën, por mes akuzave dhe kritikave që ka për të, u bën thirrje që të mos merren me kreun e shtetit, por të hetojnë Krimet Zgjedhore. Këtu Meta ka sjellë në vëmendje vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, plagosjen e sekretarit të PD në Kavajë, Bledar Okshtuni në zyrën e tij elektorale, përplasjen mes simpatizantëve të PD-PS në ditën e Verës, mosveprimet e Prokurorisë për këto ngjarje si edhe për pretendimin e tij se i kanë hackeruar numrin e celularin duke iu dërguar qytetarëve mesazhe fyese në emër të Presidentit.
"E gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet. Por gjithsesi, nëse ju mendoni se jeni të aftë, jeni në kohë dhe keni ndonjë grimcë legjitimiteti, dhe dëshironi të zbardhni vërtet krimet zgjedhore, që disa prej jush aty brenda në Kuvend kanë konsumuar, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë i bëjmë me dije Kuvendit se, mund ta filloni këtë proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse", shkruan Meta.
Në ndryshim nga 49 deputetët që hodhën firmën për të inicuar shkarkimin e tij që thanë se me deklaratat e tij, Meta krijoi ndasi sociale e politike dhe nxiti daljen e militantëve në rrugë që terrorizonin qytetarët, kreu i shtetit ka një tjetër mendim.
"Presidenti i Republikës, për çdo rast, fenonem apo ngjarje që tregonte për rritje të konfliktit ka mbajtur qëndrime të prera, të menjëhershme, me qëllim normalizimin e situatës, dhe realizimin e një procesi zgjedhor sa më të qetë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë", shkruan Meta.
E nisur nga kjo, duke qenë se i ka vënë përpara Kuvendit në sërë detyrash, ai thotë se është i lë kohë Kuvendit deri më 10 maj, edhe ditë që përkon me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.
"Sa më sipër, dhe duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-ËEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare", përfundon shkresa.
( Kliko këtu ) Përgjigjia e plotë e presidentit Ilir Meta për Komisionin e ligjeve
Lajmi kryesor:
Shkarkimi i Metës, mblidhet Komisioni i Ligjeve! Hysi: Presidenti ka bërë thirrje për dhunë! Meta refuzon pjesëmarrjen! Nesër seanca e radhës (VIDEO)
B.K.//ReportTv.al