Në Komisionin e Ligjeve, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar shtesa në buxhet për rikonstruksionin e godinës dhe dixhitalizimin. Buxheti i përcaktuar për Gjykatën Kushtetuese është 156,79 mln lekë, ndërsa kërkesa është bërë për një shtesë prej 5 mln lekësh. Dakord me këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese ka rënë edhe opozita në Komision.
Nga ana tjetër edhe deputeti Fatmir Mediu ka kërkuar të zbatohet pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet qartësuar ky term, pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese për rolin që ka kjo gjykatë për veprimet e kuvendit dhe qeverisë. Kjo i jep autoritetin e duhur Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë është vënë me ligj duhet definuar qartë kush është autoriteti i Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e saj prish rendin e funksionimit të shtetit. Besoj se duhet të biem dakord. Më shumë se të flasim për krijimin e dinjitetit duhet të arrijmë që këtë institucion ta sjellin në standardet europiane. Nëse nuk i japim autoritet Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i japim asnjë institucioni tjetër. Unë mendoj që duhet të mendojmë më shumë se kaq për ta sjellë Gjykatën Kushtetuese në nivelin që i takon”, u shpreh Mediu.
Lajmi kryesor: