Kronikë

Komisioni i Ligjeve mblidhet për çështjen ‘Beccheti’, Avokatja e Shtetit: Beteja vazhdon në gjykata! Manja: Kujdes, bëhet fjalë për interesat e shtetit

8 Qershor 2021, 15:49| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 16:01

  • Share

TIRANË- Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muçaj ka deklaruar se çështja ‘Beccheti’ vazhdon në gjykata. Teksa raportoi në Komisionin e Ligjeve, Muçaj shtoi se 98% e kërkesave të Becchetit në Gjykatat Ndërkombëtare janë rrëzuar tërësisht.

“Veprimtaria e këtij zotërie dhe e shoqërive që ai zotëron  përbën një fenomen i cili meriton jo vetëm trajtimin që po i bëhet në Gjykatën e Tiranës në lidhje me një tërësi të një veprash penale, por edhe një analizë të mëtejshme të një fenomeni që ka të bëjë me përdorimin e gjykatave për të realizuar qëllimet, ne i konsiderojmë të pambështetura. Përse kemi dalë në këtë rezultat , kërkesat që janë paraqitur nga ky person, të afërmit e tij apo të shoqërive të tij përpara gjykatave ndërkombëtare janë rrëzuar në 98% të tyre tërësisht”, tha Muçaj.

Megjithatë, kryetari i këtij Komisioni, Ulsi Manja “u tërhoqi veshin” që të kenë kujdes, pasi sipas tij vendime të tilla ndikojnë drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve.

“Ju me të drejtë e cilësoni si një rast shpronësimi si të padrejtë që ende pa u mbyllur hetimi penal apo një vendim i formës së prerë nga Gjykata Shqiptare gjykata e Arbitrazhit ka dhënë një vendim, është pronësim i padrejtë, por duhet të analizojmë dhe sjelljen e organeve penale të sistemit të drejtësisë sepse bëhet fjalë për interesat e shtetit shqiptar se në rastin e këtyre vendimeve preket drejtpërdrejtë buxheti i shtetit, lekët e taksapaguesve shqiptar”, tha Manja në Komision.

Disa javë më parë në një shkrim të Zërit të Amerikës u njoftua se Shqipëria humbi gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu siç ai e quajti Becchetin, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideroi të padrejtë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?