Komisioni i Medias i përcolli kuvendit për seancë plenare, dy relacione ku kërkohet shkarkimi nga detyra i të gjithë këshillit Drejtues të Radiotelevizionit shqiptar.
“Gëzim Podgorica dhe Genc Përmeti kanë dorëzuar dorëheqjen në Kuvend. vendosëm t’i përcjellim seancës projektvendimin për lirimin e të dyve nga detyra si dhe: Për shkarkimin e drejtorit Leka Bungos, Ilir Kekos, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci” tha Ilir Topi.
Vendimi erdhi pas dëgjesave me kreun e këtij këshilli Leka Bungo dhe anëtarët e pranishëm, të cilët pretenduan se i kishin denoncuar vazhdimisht shkeljet në RTSH, por nuk ishin marrë parasysh. Bungo tha se për këtë ka dokumente dhe se problemin më të madh në RTSH sheh mungesën e transparencës.
Anëtarët e pranishëm të Këshillit Drejtues pretenduan se nuk kishin kryer asnjë shkelje dhe e drejtuan gishtin te drejtorët e përgjithshëm ndër vite të RTSH.
"Jam akuzuar sikur kam përfituar projekte nga RTSH. Unë nuk kam përfituar asnjë projekt gjatë periudhës 4 vjeçare pjesë e RTSH. Filmi me metrazh të gjatë ‘Love’, i cili është thënë sikur unë kam përfituar është financuar nga qendra kombëtare e kinematografisë. Por, në atë periudhë nuk kam qenë anëtar i këshillit drejtues. Filmi ka fituar 16 çmime ndërkombëtare dhe është shfaqur në Shqipëri, Kosovë, SHBA, Kanada dhe Spanjë dhe projekti ka qenë i përfunduar. Janë ngritur si pretendime për të bërë pis figurën time sikur ky film nuk është prodhuar ndonjëherë. Ndoshta nga drejtues të mëparshëm për të më bërë shantazh. Nuk kam asnjë përplasje interesi dhe emri im është propozuar nga shoqata e kieastëve të rinj. U nuk jam jurist jam regjisor dhe kam kërkuar asistencë ligjore dhe vendimmarrja ka qenë në koordinim me ekspertë juridikë’’, tha Dionis Papadhimitri.
I gjithë ky proces nisi pas shkeljeve në garën për drejtor të Përgjithshëm të Radio televizionit Publik Shqiptar, tashmë të pezulluar. Ato nxorën në pah një sërë abuzimesh të Këshillit drejtues të RTSH-së, nga fondet e deri te konflikti i interesit.
Procedurat e shkarkimit vijnë pak ditë pas debatit në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH ku me shumicë votash u skualifikuan 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Ndërkohë pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit,duke lënë në garë vetëm Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon. Gjatë këtij procesi përzgjedhje që duhej të ishte me votë të fshehtë u zbulua se anëtari Mevlan Shanaj kishte votuar nga Vietnami.
Dhe kërkoi që të vijonte punë.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)