Reforma Territoriale, caktohen ekspertët teknik! Mziu: Të mos shkojmë te shpikja e rrotës, të marrim eksperiencë nga vendet e rajonit

29 Qershor 2022, 10:26| Përditesimi: 29 Qershor 2022, 14:09

  • Share

TIRANË- Opozita dhe mazhoranca janë mbledhur në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, ku janë caktuar emrat e ekspertëve teknik. Në mbledhjen e kaluar u refuzua kërkesa që të shtoheshin ekspertët e grupeve parlamentare nga 4 në 6, ndërsa kryetarja e Komisionit Anila Denaj thotë se presin nga Kuvendi për një përgjigje formale nëse do të ketë shtesë në mënyrë që të mos pengohet fillimi i punës të ekspertëve që janë definuar.

Nga mazhoranca propozojnë dy ekspertë teknikë: Adelina Farrici dhe Artan Shkëmbi. Nga opozita propozohen Agron Haxhimali dhe Roland Bejko në cilësinë e ekspertëve teknik në këtë komision. Ndër të tjera, Xhelal Mziu ka dhënë propozimin e tij që të merret eksperiencë nga vendet e rajonit për Komisionin e Posacëm për Reformën Territoriale.

"Unë do të propozoja ekstra që mendoj se do të jepnin kontribut të jashtëzakonshëm për të përfituar atë reformë të cilën do i eliminonte problematikat që janë përcaktuar deri më sot dhe që do të ishin më afër standardeve të vendeve të BE.

Ngul këmbë që Komisioni i Reformës Territoriale duhet të gjejë modalitetin me Kosovën, me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk po them që t'i ftojmë ato për të dëshmuar këtu para nesh apo për të kontribuar, por them nuk është luks i tepërt që ky Komision të ndërmarrë një tur të shpejtë në këto 3 vende për të parë risitë e tyre në raport me ne dhe jam i sigurt që kanë më shumë kompetenca se ne dhe që të mos shkojmë te shpikja e rrotës, por të bëjmë implementimin e standardateve që kanë evoluar më shumë.

Të treja kanë risi që janë më shumë se ne, por jam i sigurt që do të kontribuojnë maksimalisht për një reformë komplekse jo vetëm në një aspekt. Përveç tyre, kam dhe një propozim tjetër. Kongresi i Autoriteteve Lokale Europian që është aktor i rëndësishëm, unë do të propozoj që të gjendet mundësia e komunikimit dhe e shkuarjes për të marrë disa direktiva që aktualisht më shumë se ato askush nuk është i specializuar, dhe besoj se do të ndikojë në këtë drejtim.

Pra në këtë mënyrë është mirë të bëjmë edhe një alternim për propozimet. Lidhur me Kosovën, RMV ose Malin e Zi, ose duhet të shkojnë ekspertët, por këtë nuk duhet ta neglizhojmë. Kemi një model që në disa aspekte janë përpara nesh. Në raport me Kongresin e Autoriteteve Vendore, mundet që katër përfaqësuesit të shkojnë për të marrë orientimet e mjaftueshme që besoj se do të kontribuojnë.

Të gjendet mundësia e komunikimit dhe shkuarjes tek një përfaqësim i këtij komisioni për të marrë disa nga orientime dhe ngelem shpresëplotë që do të ndikojë në këtë drejtim. Të bëhet një alternim i propozimeve dhe duke parë kontributin e tyre në hartimin e këtij programi", tha Mziu.

Ndërsa një propozim i kryetares Anila Denaj ishte për javën e ardhshme për tu ezauruar dëgjesat me organizatat e shoqërisë civile, për të cilën ra dakord edhe opozita.

"Nëse janë 12 organizata, do të ishin 3 ditë me 4 dëgjesa nga e hëna në të mërkurë. Organizatat e shoqërisë civile konkludohen javën që vjen. Kjo tregon se biem dakord për një kalendar dhe të fokusohemi në organizatat e shoqërisë civile", tha Denaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?