Debate te Komisioni i Sigurisë/ Vengu: Buxheti me rritje, kap 2% e vendosur nga NATO! Kampus i ri për ushtrinë! Xhaferraj: Mos bëj ironi, je për SPAK

11 Nëntor, 14:44| Përditesimi: 11 Nëntor, 16:23

  • Share

U mbajt sot mbledhja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ku temë diskutimi ishte shqyrtim në parim i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025” të Ministrisë së Mbrojtjes.

I pranishëm për diskutim dhe raportim ishte vetë ministri, Pirro Vengu, që deklaroi buxheti parashikon kapjen e standardit financiar të NATO-s për kuotën 2% të GDP-së. Po kështu ai njoftoi se ka edhe rritje të buxhetit për ushtrinë në krahasim me vitin e kaluar.

Ministri bëri me dije edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në uzinat ushtarake të armëve Poliçan, Mjekës dhe Gramsh, nëpërmjet buxhetimit, si për personelin dhe ish-punonjësit, ashtu edhe detyrimeve të tjera.

Por nuk munguan edhe debatet gjatë seancës së pyetjeve dhe konstatimeve, teksa diskutimet kaluan në akuza të forta mes deputetit demokrat Ferdinand Xhaferraj dhe ministrit Vengu e më tej me kreun e komisionit, Nasip Naço, duke i kujtuar se ka qenë prokuror në kohën e komunizmit.

Xhaferraj akuzloi Vengun për ironi, duke i kujtuar abuzimet te Porti i Durrësit, para se të bëhej ministër dhe se ishte për SPAK. Shkak u bë përgjigja e kreut të MM se konstatimet e deputetit opozitar nuk ishin të sakta dhe nuk ishte informuar mirë mbi to.

Vengu dha detaje edhe për industrinë ushtarake si projekt në prodhimin e armatimeve, ku theksoi ngritjen e kompanisë shtetërore për këtë qëllim, por edhe industria tjetër, në çështjet e licencimit dhe prodhimit.

 “Është parashikuar fond për Kampusin Modern për forcat e armatosura, për kushte të nevojshme, që të mos zgjasi tranzicioni i Akademisë në kampusin e ri, ndaj kemi dedikuar 242 mln lekë për kampusin e ri të fortave të armatosura. Mbi 2% të GDP-së për shpenzimet e mbrojtjes, një ndër vendet e pakëta të aleancës që e realizon sipas rregullave të NATO-s. Viti i dytë radhazi që e kapim këtë kuotë”, tha ministri.

Ai vuri në dukje edhe problematikën e Emergjencave Civile, duke i kthyer në prioritet pas situatës së zjarreve dhe dëmeve të këtij viti, duke shtuar se 6 qarqe janë të ekspozuara ndaj rreziqeve. U kërkuan pajisje speciale për ushtrinë dhe për njësitë bashkiake që mbulojnë zonat problematike.

“Buxheti më i lartë nga viti i kaluar, mbi 2%. Shlyemë detyrimet e mbartura prej një dekade në tre nga ndërmarrjet e industrisë ushtarake Mjekës, Gramsh Poliçan. Rrogat e prapambetura, vendimet gjyqësore dhe detyrimeve të tjera. Poliçani është totalisht i buxhetuar”, tha ministri ndër të tjera.

Kurse deputeti socialist relator Bardhyl Kollçaku tha se pjesa më e madhe e buxhetit të MM shkon për ushtrinë, forcat operacionale tokësore-detare-ajrore.

“Në vëmendje duhet të jenë strukturat e sigurisë, sidomos inteligjencës ushtarake, ndaj kërcënimeve hibride, nga vende jomiqësore ndaj aleancës. Përshtatja e aeroportit të Kuçovës edhe për ambientet e dronëve. Të ketë projekt edhe për pajisjet e komunikimit me aleancën e NATO-s”, tha deputeti. Ligjvënësi i qarkut të Beratit kërkoi të zgjidhet edhe çështja e ushtarakëve të liruar nga detyra dhe realizimi i akteve normative të nevojshme për zgjidhjen e tyre.

Ministri Vengu shpjegoi se është punuar dhe vijohet të punohet në këtë drejtim, kurse për ligjin e ri të rezervistëve, u shpreh se do nisë nga viti i kaluar dhe për këtë qëllim “është parashikuar dhe përcaktuar pjesa e buxhetit të nevojshëm”.

Debatet nuk munguan edhe më tej, gjatë fjalës së deputetit Asllan Dogjani, i cili ngriti pyetjen nëse Shqipëria i ka kapacitetet për t'iu përgjigjur një agresioni të mundshëm ushtarak apo kibernetik nga Rusia dhe Serbia, por edhe deputetja tjetër opozitare, Lindita Metaliaj, që u shpreh se "Shëngjini është kthyer në Guantanamo e dytë dhe Gjadri në një burg për afrikanë", duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se e mori këtë vendim me qëllime politike dhe "për të mbajtur pushtetin e tij"

Ora 16:11
Siguria/ Metaliaj: Shëngjini është kthyer në Guantanamo, Gjadri në burg! Për të mbajtur pushtetin, Rama po zëvendëson qytetarët e Lezhës me afrikanë

 

Deputetja e PD-së për qarkun e Lezhës, Lindita Metaliaj, ishte e ashpër në Komisionin e Sigurisë ku u diskutua për buxhetin, duke trajtuar problematikat e emergjencës së zjarreve këtë vit, duke kujtuar se Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes kishte dështuar.

Por ligjvënësja demokrate trajtoi edhe çështjen e dy prej bazave ushtarake të njohura në vend, Porti i Shëngjinit dhe baza e Gjadrtd, që sipas saj po kthehen në “Guantanamo të dyta”, në “kampe burgje” për refugjatë afrikanë, ndërkohë që duhet të ishin destinacione turistike.

“Dy pika të rëndësishme të Lezhës janë kthyer në kamp refugjatësh. Gjadri, nga një prej bazave më të mira ushtarake në rajon, është kthyer si në një burg. Edhe Shëngjini, sidomos porti, nga një zonë që mund të ishte një nga pikat më të mira turistike, është konvertuar në një kamp refugjatësh. Shëngjini është një Guantanamo e dytë. Po depozitohen e magazinohen njerëz të vendeve të treta, që janë fatkeq, që nuk kërkojnë Lezhën, por një jetë më të mirë”, tha Metaliaj.

Më tej hodhi akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke aluduar se i ka shndërruar dy bazat ushtarake me qëllim pushtetin personal.

“Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij, po zëvendëson qytetarët e Lezhës me afrikanë. S’po kërkojnë burg e mur me shtatë metra të lartë me hekura. Shohim anije që vijnë me 16 refugjatë, ikin më pas me 6, vjen një tjetër me 8 refugjatë. Duam një përgjigje për Gjadrin dhe Shëngjinin”, tha deputetja.

Metaliaj kujtoi edhe llogjistikën e pamjaftueshme për të përballuar emergjencat civile, si mungesa e avionëve dhe helikopterëve, por edhe mjeteve të tjera e pajisjeve.

Ministri Vengu pohoi se ka problematika për gjendjen e emergjencave civile, sidomos problematkika e përmbytjeve dhe veçanërisht zjarreve dhe për këtë qëllim i kushtohen zëra të veçantë në buxhet dhe shtimin e fondeve.

Kreu i MM u shpreh se Baza e Gjadrit pavarësisht se i është dhënë palës italiane përkohësisht për qëllime të trajtimit të emigrantëve të paligjshëm, në të ardhmen parashikohet të rikthehet në një Bazë të madhe Ushtarake.

Pas përgjigjes së ministrit Vengu, kryetari Nasip Naço mbylli edhe mbledhjen e Komisionit, duke u shprehur me votën pro dhe me miratim të buxhetit të parashikuar.

Ora 15:46
Komisioni i Sigurisë/ Vengu: Do ringremë flotën ajrore, investime në blerje avionësh si për stërvitje pilotësh, ashtu edhe për emergjenca civile

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, teksa iu përgjigj pyetje të ndryshme të deputetëve të pranishëm në Komisionin e Sigurisë për buxhetin e vitit 2025, vuri në dukje se Ministria e Mbrojtjes është e vendosur që të rigjallërojë flotën ajrore dhe ta ringrejë atë në nivele të larta.

“Ne po investojmë edhe në industrinë e aviacionit, për të investuar jo vetëm te helikopterët, por edhe të avionët. Blerja e mjeteve ajrore është prioritet, sikurse edhe ajo e stërvitjes dhe plotësimit me personel, jo vetëm përgatitje e pilotëve të helikopterëve, por edhe të avionëve. Qëllimi është blerja e avionëve që i shërbejnë nevojave për stërvitje, por edhe emergjencave civile që mund të dalin apo dhe nevojave të tjera të vendit dhe ushtrisë”, tha Vengu.

Ai sqaroi se kjo do realizohet duke i dedikuar buxhetin e duhur me hapa të matur, sikurse edhe ajo e emergjencave civile deri në 30 milionë euro për të zgjidhur problematikave të përmbytjeve kryesisht.

Vengu shpjegoi se edhe industria ushtarake e armatimeve, si uzinat, futja e një makinerie të industrisë së prodhimit kërkon një vlerë deri në 50 milionë euro. Ai tha se kjo mund të realizohet edhe nëpërmjet marrëveshjeve me kompani të vendeve partnere. E njëjta linjë mund të ndiqet edhe me flotën detare sipas ministrit, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Ora 15:33
Siguria/ Dogjani: A kemi kapacitete nëse sulmohemi nga Serbia apo Rusia, a kemi avionë e armatime? Naço: Pretendime si të Traktatit të Varshavës

 

Asllan Dogjani, sot në Komisionin e Sigurisë

Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, mori fjalën te Komisioni i Sigurisë për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke vënë theksin tek gjendja problematike e ushtrisë shqiptare, duke i kërkuar shpjegime ministrit Pirro Vengu nëse Forcat e Armatosura shqiptare janë në gjendje t’i përgjigjen një agresioni nga vendet jo mike.

Po kështu edhe për situatën e emergjencave civile, duke parë përmbytjet në disa vende të rajonit dhe katastrofat natyrore.

“Nëse nesër e zëmë se plas lufta me Serbinë, a ka Ministria e Mbrojtjes armatimin e nevojshëm për t’u përgjigjur. Ju thatë se në buxhetin e ri do parashikohet blerja e tyre. Sa do blihen, çfarë do blihen, a janë të nevojshme ato që do merren dhe a mjaftojnë? A kemi ndonjë avion luftarak ne në Shqipëri? A ka ndonjë mundësi për konflikt rajonal në Kosovë me Serbinë dhe si mund t’i përgjigjemi këtyre kërcënimeve. Se këto çështjet e traktatit të Varshavës i merr vesh më mirë Nasipi që nga koha e komunizmit, na i shpjegon ai”, tha Dogjani duke bërë edhe ironi me kryetarin e Komisionit, referuar edhe debatit të mëparshëm Xhaferraj-Vengu-Naço.

Dogjani pati rezerva edhe për çështjen e emergjencave civile.

“Me ato që po ndodhin e shohim si në Spanjë me përmbytjet, duam të dimë nëse i kemi mjetet e nevojshme për të përballuar një situatë të tillë. A duhet rritur më shumë ky buxhet për të blerë pajisjet e duhura. Ose çështja e sulmeve kibernetike nga vendet jo mike apo kërcënimet që mund të na vijnë nga Serbia dhe Rusia”.

Por kryetari i Komisionit i kujtoi kolegut opozitar se po fliste me dy standarde të ndryshme.

“Flisni për një vend të NATO-s, por pretendimet i keni si të një vendi të Traktatit të Varshavës, flet për 1 mijë avionë e të tjera. Ministri sapo e tha dhe shifrat u përmendën, nga 43 mld, buxheti i Mbrojtjes ka shkuar mbi 45 mld, pra ka rritje. Buxheti për ushtrinë 2,1 përqind sipas standardeve”, ironizoi Naço.

Dogjani iu përgjigj se “Traktatin e Varshavës e njeh ti shumë mirë, unë kam qenë i vogël nuk e mbaj mend”.

Ministri Vengu shpjegoi se Shqipëria është vend i NATO-s dhe operon me vendet partnere, teksa paralelisht investon edhe në sigurinë e informacionit dhe kibernetike për të ndalur sulmet e mundshme.

Investimet në buxhet sipas ministrit, synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake për çdo situatë të mundshme, sikurse edhe rritja e buxhetit të emergjencave civile, me qëllim përballimin e katastrofave natyrore.

Ora 15:02
Sherr te Siguria, Xhaferraj sulmon Vengun: Një ministër kalama bën ironi, je për SPAK! Kapet dhe me Naçon: Prokurori i komunizmit më përmend Traktatin e Varshavës

 

 

Nuk munguan debatet e forta dhe akuzat te Komisioni i Sigurisë ditën e sotme, ku pati shkëmbime verbale mes deputetit të opozitës Ferdinand Xhaferraj dhe ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu e kryetarit Nasip Naço.

Teksa deputeti i PD akuzoi për shpenzime të dyshuara të një pjese të buxhetit dhe fondeve, duke thënë se “keni probleme serioze me një pjesë të mirë të industrisë dhe linjave ushtarake”, ai vuri në dukje se edhe 2% i GDP-së të caktuar nga NATO për Ushtrinë nuk qëndronte.

Xhaferraj vuri në dukje problematikat në industrinë ushtarake, por edhe cilësinë e mësimdhënies dhe teknologjinë ushtarake apo pajisjen me armë të cilësisë së lartë për qëllime mbrojtëse. Gjithashtu theksoi se edhe Emergjencat Civile nuk duhet të jenë nën kompetencën e MM-së.

“Një e katërta e buxhetit shkon për emergjencat civile dhe pagesat e ish-ushtarakëve. Një pjesë tjetër nuk dihet se për çfarë do përdoren. Në asnjë vend të botës nuk bashkohen Emergjencat Civile me Ministrinë e Mbrojtjes. Ky institucion duhet të jetë i Ministrisë së Brendshme. Nuk e dimë se si do përdoren këto fonde, pa përmendur gjendjen e shëndetësisë në ushtri”, tha deputeti ndër të tjera.

Dhe teksa fliste për cilësinë e ushtrisë dhe aspektit didaktik të saj, ka ndërhyrë ministri Vengu, që teksa mohoi konstatimet e ligjvënësit opozitar përdori edhe batutë të rastit se “nuk e kishte lexuar siç duhej raportin”, që nuk u prit aspak mirë dhe u cilësua si ironi nga Xhaferraj.

“Një kalama ministër bën ironi në Komision. Mos t’i kthehem portit të Durrësit, skandalit më të madh të abuzimit. Traktati i Varshavës është trashëgimi e juaja. Ministri bën ironi, mos më bëj ironi mua. Ti je për SPAK”, iu drejtua ashpër Xhaferraj ministrit Vengu.

Kryetari Nasip Naço ndërhyri për të qetësuar situatën e krijuar dhe tensionet, duke i kujtuar kolegut opozitar “Traktatin e Varshavës”.

“Prokurori 30-vjeçar i komunizmit më tregon mua Traktatin e Varshavës, iu drejtua ai kreut të komisionit.

Debatet u rikthyen edhe kur Vengu nisi t’i përgjigjej pyetjeve të Xhaferrajt, duke dhënë shpjegime për të gjitha kundërshtimet. Por teksa ligjvënësi akuzonte për të dhëna jo reale, Vengu u shpreh se “nuk ishte i mirëinformuar”.

Por Xhaferraj i kujtoi përsëri çështjen e Portit të Durrësit dhe se duhet të shkonte në SPAK. Ministri iu përgjigj duke i thënë se “ai ka qenë dhe është i gatshëm të japë shpjegime kudo dhe për çfarëdo”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?