Komisioni antikorrupsion/ Kreu i KQZ-së: Problem, financimi i partive! Ndryshuat Kodin por latë pa zgjidhur financimin

12 Nëntor, 18:19| Përditesimi: 12 Nëntor, 18:40

  • Share

Tirane- Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të pranverës së 2025, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ngriti alarmin e kuq për financimin e partive, problematikë që vijon të nënvizohet në çdo raport post-zgjedhor.

Nga Komisioni “Xhafaj” ku po zhvillohej një tryezë diskutimi me ekspertë për parandalimin e korrupsionit politik, Celibashi tha se pikërisht adresimi i financimit te dyshimtë është pikënisja e zgjidhjes së problemit.

“Elefanti në dhomë është financimi I partive dhe kandidatëve, pasi mënyra sesi zgjidhen, apo krijojmë qeverisjen tonë varet edhe përcaktimi i cilësive të kësaj qeverisje, ndaj është me rëndëiss të adresojmë financimin e partive politike, partive dhe kandidatëve, apo fushatave në përgjithësi.”

Celibashi kritikoi Kuvendin se pavarësisht se ndryshoi Kodin Zgjedhor disa muaj më parë, sërish la pa zgjidhur çështjen e financimit të partive, kandidatëve apo fushatave të tyre.

“Këto rekomandime, nuk u adresuan nga Kuvendi, çështjet që lidhen me rregullat e mekanizmit të financimit, vlerave të financimit, mekanizmit kontrollues nga palët e treta, rregullat mbi zhvillimin e fushatës zgjedhore në mediat online e rrjetet sociale nuk u rregulluan në amendimin e kodit zgjedhor. Po i sjell në vëmendje dhe ndoshta palët e interesuara do të gjejnë rrugën e ndryshimit të përshtatshëm.”

Në tryezën që Komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj po zhvillon me ekspertë, e disata e këtij lloji, e pranishme ishte edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e cila tha se nëpunësit civilë pezullojnë statusin e tyre për të bërë lirshëm fushatë.

Këto dëgjesa, Komisioni Xhafaj po i bën me qëllim mbledhjen e ideve për ndryshime ligjore për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?