Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mbajti sot mbledhjen në Pragë ku u morën disa vendime të rëndësishme në lidhje me futbollin europian.
Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të zhvillojë një mbledhje zyrtare në Tiranë, nën organizimin e Federatës së Futbollit.
Ky event i rëndësishëm do të mbahet më 8 shtator 2025.
Mbledhja e nivelit më të lartë të organit drejtues të UEFA-s në Tiranë do ta vendosë Shqipërinë në qendër të Europës. Ky zhvillim historik është një dëshmi e rritjes së ndikimit të Shqipërisë në futbollin europian.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s gjithashtu u morën edhe disa vendime të tjera si:
1. U aprovua strategjia e re e UEFA-s për futbollin e vajzave 2024-2030.
2. U përcaktua fondit i solidaritetit për klubet që nuk marrin pjesë në garat e UEFA-s për periudhën 2024/27
3. Finalja e UEFA Champions League 2027 nuk do të zhvillohet në stadiumin San Siro për shkak se komuna e Milanos nuk ka garantuar rinovimin e stadiumit. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka hapur sërish procesin e kandidimit dhe vendimin përfundimtar do të merret në periudhën maj/qershor 2025.
4. Vendi pritës për Kampionatin Europian të UEFA U-19 Futsal 2025 u caktua Kishinjev, Moldavi.
5. Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohet në Lozanë, Zvicër më datë 16 dhjetor 2024.