TIRANË- Të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në vend i rikthehen normalitetit dhe mësimit në bankat e shkollës, pas ndërprerjes për shkak të COVID-19. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi ditën e sotme rikthimin e tyre në shkolla për të vijuar mësimin fizikisht në mënyrë të rregullt dhe jo më të alternuar, disa ditë në shkollë dhe disa ditë online, siç ishte deri tani dhe Ministria e Arsimit ka dhënë 'OK'.
Sipas kryetares së Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli u shpreh se situata me infektimet nga COVID-19 është e qëndrueshme dhe është shënuar ulje e shifrave të infektimeve. Rakacolli tha se vijimi i procesit të vaksinimit masiv ka përmirësuar ndjeshëm situatën, megjithatë bëri apel për respektimin e masave anti-COVID dhe ruajtjes së distancës.
Gjithashtu kthimi i nxënësve në shkolla do të bëhet nën respektimin e rreptë të masave anti-COVID në ambientet e shkollës. Ndërkohë që studentët e universiteteve do të vijojnë mësimin e tyre online.
“Siç shihet, Komiteti Teknik ka arritur në konkluzionin që situata është e qëndrueshme, por ka një rritje të lehtë të shtrimeve në spitale dhe thirrjeve të 127. Shpresoj që kjo situatë të mos rëndohet. Janë vaksinuar me dy doza, personeli mjekësor, një pjesë e mirë e arsimtarëve kanë përfunduar dozën e parë, po vijon dhe vaksinimi për kategoritë e tjera. Jemi nga vendet e para për ritmin. Duke peshuar masat që kemi marrë, Komiteti Teknik mendon që të propozojë ministrisë të arsimit, që të kalojë atë parauniversitar në kombinuar, në kthimin në klasë, duke ndjekur në mënyrë rigoroze masat. Duhet të respektojmë distancimin fizik. Vetëm me këto masa, me këtë ritëm, edhe me shtimin e vaksinimit, do të mundim të kemi një kontroll të mirë mbi pandeminë. Një rritje të ekonomikë dhe realizim të mirë të aktiviteteve të turizmit”, tha Rakacolli.
Ndërkohë që masat e tjera mbeten në fuqi, ku ora policore vijon të jetë 22:00-06:00, maska e detyrueshme në rrugë dhe karantina e detyruar 2 javore për qytetarët që vijën nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Drejtoresha e Instituitit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se ka një rënie të rasteve të reja pozitive, rasteve aktive dhe të shtruarve në spitale.
“Në mënyrë të vazhdueshme monitorojmë situatën epidemilogjike, e cila bazohet mbi disa indikatorë, të cilët janë incidenca dy javore, e cila ka pësuar për këtë periudhë një ulje nga 134 në 67 raste të reja për 100 mijë banorë. Mesatarja e rasteve pozitive javore të idenfitikuara ka rënë në 135. Numri i rasteve aktive ka qënë mbi 25 mijë, ndërkohë që sot jemi në 20586. Gjithashtu numri i personave të shtruar në spitalet COVID1 dhe COVID 2 ka pësuar ulje”, bëri me dije Albana Fico.
Ministria e Arsimit jep "OK" për rikthimin në shkolla të sistemit parauniversitar. Kjo do të nisë nga java që vjen.
“Më në fund, procesi mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12, do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollave çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjitha institucionet tona arsimore janë gati për këtë skenar që në fillim të javës tjetër duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga MSHMS”¸ shprehet Ministrja Kushi dhe nënvizon se njësoj si në fillim të këtij viti shkollor, do të lihet në fleksibilitetin e shkollave për të hartuar specifikisht grafikun mbi zhvillimin e procesit mësimor sipas skenarit të parë: qoftë ai me një, dy apo me shumë turne, në varësi të numrit të nxënësve apo kushteve të shkollës.
Ndërsa thekson se kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të vazhdojnë të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve për të mbështetur procesin mësimor,
Kushi thotë se përpara është sfida e madhe e provimeve të Maturës Shtetërore dhe mbyllja me sukses e këtij viti shkollor e për këtë ka pasur një apel.
“Kam shumë besim se ju do të vazhdoni të punoni intensivisht që maturantët tanë të dalin faqebardhë. Ju lutem, t’i shfrytëzoni këto javë që kanë mbetur për të identifikuar dhe plotësuar të gjitha mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë mësimit online. Përfaqime të sinqerta për të gjithë ju, nxënës të dashur, që deri më tani ia dolët të përballeni e të përshtateni shumë shpejt me një vit aspak të lehtë! Një bravo të madhe edhe për përgjegjshmërinë që vazhdoni të reflektoni çdo ditë në shkollat tona dhe jashtë tyre!”, i drejtohet Ministrja Kushi të gjithë nxënësve.
Shefi i Urgjencës, Skënder Brataj, raportoi se pas 18 prillit ka një rritje të lehtë të personave që kërkojnë informacion për sa i përket efekteve anësore të vaksinave. Brataj tha se ka pasur 129 raportime për efektet anësore, ku tha se predominojnë temperatura, dhimbja e kokës, lodhja të cilat edhe janë të parashikuara.
“Nga monitorimi që 127 i bën situatës ka një rritje të thirrjeve për kërkesën e informacionit për sa i përket efekteve anësore të vaksinave. Ka rritje të lehtë të vizitave në banesë. Nëse në 18 prill ishim me 290 sot jemi me 350-360, nga të cilat 40-45 vizita COVID. Në 129 raportime për efekte anësore të vaksinës, në të cilat 48 meshkuj dhe 81 femra predominon temperatura në 80 persona. Bie në sy nga efektet anësore të vaksinës predominon: temperatura, lodhja, të dridhura dhe dhimbja e kokës, ashtu siç edhe janë parashikuar.”-tha Brataj në fjalën e tij.