Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar me gjetjet dhe rekomandimet pas monitorimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në raportin e publikuar nga Komiteti i Helsinkit, janë listuar disa nga shkeljet që janë hasur gjatë procesit zgjedhor.
Sipas KShH-së, në raport thuhet se në nisje të fushatës zgjedhore nuk janë respektuar afatet, duke krijuar kushte për garë të pabarabartë midis subjekteve politike.
Po ashtu Komiteti ka evidentuar shkelje në shpërndarjen e materialeve zgjedhore, parregullsi në listat emërore si dhe intimidime të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Në raport po ashtu është nënvizuar se ka pasur prani të personave të paautorizuar nëpër qendrat e votimit, duke cenuar lirinë e qytetarëve për të shprehur vullnetin e votës. Tjetër shkelje e evidentuar ishin raste të votimit familjar.
Vëzhguesit e KShH konstatuan shkelje në masë të parashikimeve të heshtjes zgjedhore. Veç faktit që procesi ka nisur me vonesë në bashkitë ku u votua elektronikisht, KShH thotë se qytetarët patën vështirësi në përdorimin e tyre, duke shkaktuar konfuzion në votim. Sa i takon ripërsëritjes së zgjedhjeve në Rrogozhinë, KShH e cilëson vendim të drejtë.
Pjesë nga Raporti i Komitetit Shqiptar i Helsinkit
● Nga monitorimi i zbatimit të publikimit në kohë të listave të zgjedhësve sipas pikës 3 të nenit 56 të Kodit Zgjedhor, rezultoi se në disa Bashki, përkatësisht Bashkia Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan kishte mungesa apo mospublikime të tërësishme të listave sipas afateve të caktuara. Gjithashtu, KShH vijoi të konsiderojë me shqetësim se listat fizike të zgjedhësve vijojnë të pozicionohen në vende të cilat krijojnë vështirësi në aksesin e votuesve.
● KQZ ka lehtësuar qasjen e vëzhguesve në monitorimin e punës së tyre intensive nëpërmjet transmetimit live të mbledhjeve të kryera në kanalin YouTube të institucionit. Gjithsesi, vendimet, urdhërat e udhëzimet e miratuara dhe sidomos procesverbalet shoqëruese të këtyre mbledhjeve, shpesh herë janë publikuar me vonesa të konsiderueshme në faqen zyrtare të ëeb-it të KQZ-së, duke shkaktuar pengesa në shqyrtimin e mirëfilltë të tyre dhe reagimin e shpejtë të aktorëve monitorues.
● Pavarësisht se në një numër më të shtuar në raport me zgjedhjet e kaluara, vendimmarrjet e KQZ për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore nuk ishin gjithmonë rezultat i një hetimi efektiv (brenda afateve), parashikuan sanksione simbolike e jo proporcionale, si dhe u vunë re qëndrime të ndryshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe KAS, duke sjellë në disa raste favorizimin e subjekteve zgjedhore apo institucioneve që ishin në kushet e ndalimit.
● Komisioneri miratoi Vendimin nr. 421, datë 03 Maj 2023, bazuar në një prej denoncimeve të përcjella nga KShH, nëpërmjet të cilit u vendos ndalimi i postimeve apo ripostimeve në rrjetet sociale të një institucioni publik të aktiviteteve të cilat pasqyrohen në profilin personal të drejtuesit të institucionit publik. Edhe pse KShH përshëndeti precedentin pozitiv që krijoi kjo vendimmarrje, KShH gjithashtu informoi KQZ-në se gjatë verifikimeve të mëtejshme kishte konstuar vijimin e ripublikimit të aktiviteteve në mediat sociale. KQZ edhe pse e mirëpriti këtë informacion nuk arriti të konkretizojë shkeljen e mësipërme.
● Pavarësisht masave paraprake të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ për zbatimin e procesit të dekriminalizimit , gjatë periudhës zgjedhore Maj 2023 rezultoi se procesi i verifikimit të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit ende nuk kishte përfunduar. KShH, gjithashtu, konstaton me shqetësim se asnjë prej partive politike nuk ka ushtruar të drejtën për të kërkuar verifikim të thelluar për kandidatët e mundshëm të tyre, duke treguar mungesë interesi për rëndësinë që ka zbatimi efektik dhe në kohë i këtij ligji.
● Ligji për partitë politike përmban rregullime që avantazhojnë ndihmën financiare të partive të mëdha, të cilat përfitojnë nga ky fond për shkak se përmbushin në të njëjtën kohë disa prej kritereve të kërkuara. Në vlerësimin e KShH, shpërndarja e fondeve duhet të jetë proporcionale sepse siç vërehet edhe në Vendimin nr. 309 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve , dy partitë më të mëdha politike marrin afërsisht 75% të fondit të buxhetit të shtetit. Kjo formulë vlen të rishikohet nga organi legjislativ duke vendosur kritere objektive që mundësojnë shpërndarjen e drejtë dhe
● Gjerësisht, u vu re se subjektet zgjedhore të cilat mund të propozojnë komisionerë të KQV-ve përcollën listat vetëm në ezaurim të afatit të caktuar5 dhe përgjithësisht këto lista kanë qënë të paplotësuara prej tyre me dokumentacion mbështetës. Pavarësisht nga kjo, shumica e KZAZ-ve kanë zgjedhur të vijojnë me ngritjen e KQV-ve. Në këndvështrimin e KShH, kjo përbën një praktikë negative të administrimit të zgjedhjeve nga ana e KZAZ-ve, në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke i hapur rrugë zëvendësimit të antarëve të KQV prej subjekteve zgjedhore, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve. KShH, duke u mbështetur në rekomandimet e ODIHR-it, ka sugjeruar më parë ndërtimin dhe konsolidimin e një rrjeti personash të trajnuar mbi ligjin zgjedhor të cilët të jenë të aftë t’i përgjigjen nevojave emergjente, sidomos në prag të datës së zgjedhjeve.
● Afatet e vendosura në nenin 77 të Kodit Zgjedhor mbi fushatën zgjedhore nuk janë respektuar duke krijuar kështu kushte për garë të pabarabartë midis subjekteve, në favor të atyre që disponojnë mjaftueshëm qëndrueshmëri financiare për të kryer këto aktivitete në një shtrirje më të gjatë kohore, krahasimisht me subjektet zgjedhorë më të vegjël.
● KShH njoftoi KQZ-në menjëherë pas konstatimeve të shkeljes së afatit të shpërndarjes së materialeve nga KZAZ-të pranë KQV-ve sipas Nenit 99 të Kodit Zgjedhor
● KShH raportoi pranë KQZ-së rastin e intimidimit të qytetarëve të Bashkisë Elbasan të cilëve u është referuar se vota e tyre elektronike do të identifikohej nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave midis pajisjeve PEI dhe PEVN. Në vijim të kërkesës së KShH, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve,z. Celibashi, deklaroi nëpërmjet një dalje mediatike pacënueshmërinë e procesit.
● Mungesa e hetimeve të shpejta, transparente, të gjithëanshme, si dhe mungesa e ofrimit të një mbrojtje efektive ndaj kallëzuesve të krimeve zgjedhore, janë elementë të përsëritur edhe përgjatë këtyre zgjedhjeve. Hetimet mbi krimin zgjedhor kanë vijuar të shtrihen vetëm në nivele të ulëta të organizimit politik. Të dhënat paraprake mbi hetimin e krimeve zgjedhore evidentojnë një praktikë të dy standartizuar hetimore nga prokuroritë, ndërkohë që informacioni që organet proceduese ndajnë me publikun është minimal.
● Vëzhguesit e KShH konstatuan shkelje në masë të parashikimeve të heshtjes zgjedhore. Në vijim të përcjelljes së këtij informacioni nga KShH, KQZ mori Vendimin nr. 516, datë 13.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nëpërmjet të cilit ngarkoi Policinë e Shtetit dhe Policitë Bashkiake përkatëse me heqjen e materialeve propagandistike nga të gjitha ekranet ledëall/billboards në afërsi të KQV-ve, KZAZ-ve dhe VNV-ve. KShH vëren se një vendimmarrje e
tillë dhe mobilizimi i institucioneve përkatëse duhet të ishte kryer që në orët e para të mëngjesit të datës 13 Maj 2023.
● Procesi i votimit, i zhvilluar më datë 14 Maj 2023, u monitorua nga vëzhguesit e KShH në 200 Qendra Votimi, të ngritura në 15 prej Bashkive të Republikës së Shqipërisë. Në një pjesë të konsiderueshme të QV-ve të vëzhguara nga KShH, procesi i votimit filloi me vonesë si rrjedhojë e keqfunksionimit të Pajisjeve Elektronike të Identifikimit (PEI) apo mungesës së njohurive dhe koordinimit midis anëtarëve të KQV-ve. Nga 20 Qendrat e Votimit të monitoruara pranë Bashkisë Elbasan dhe Bashkisë Kamëz ku u zbatua procesi i votimit dhe numërimit elektronik, problematika
kryesore ishte paqartësia e votuesve për mënyrën e përdorimit të PEVN-së.
●Me përjashtimin e KZAZ nr. 24 (Bashkia Durrës) dhe KZAZ-ve të Bashkisë Vlorë 7 Nga verifikimet në terren të KShH, rezultoi se shpërndarja e materialeve të votimit pranë disa prej KZAZ-ve të monitoruara ishte kryer me vonesa të ndjeshme duke arritur deri në orët e vona të pasdites së datës 12 Maj apo në orët e para të mëngjesit të datës 13 Maj, duke vështirësuar veprimtarinë e KZAZ-ve në ditët më impenjative të veprimtarisë së tyre.
● Vëzhguesit e KShH konstatuan komunikime të shpeshta të komisionerëve të KQV-ve me vëzhgues të akredituar të subjekteve politike, gjatë së cilave thuhej me zë të lartë numri rendor i zgjedhësit, i cili paraqitej pranë KQV-së për të votuar. Vëzhguesit e subjekteve politike shënonin me kryq apo me grep këto numra në formate tabelare apo në aplikacione të përshtatshme celulare. KShH mendon se KQZ-ja në raste të tilla ka vepruar me vonesë e, si rrjedhojë, parandalimi i kësaj shkeljeje ka qenë i dobët.
● Në kundërshtim të plotë të Nenit 109, pika 6 të Kodit Zgjedhor dhe Urdhërit nr. 62, dt. 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, vëzhguesit e KShH kanë raportuar prezencë konstante të personave të paautorizuar në zonat rreth Qendrave të Votimit. KShH i përcolli këto evidentime të kryera gjatë monitorimit KQZ-së, duke specifikuar se Komisionerët e QV-ve neglizhojnë ose janë shumë pasivë për të verifikuar ambientet në korridoret dhe oborret e godinave ku janë vendosur personat e paautorizuar.
● U konstatuan raste të votimit familjar që përbëjnë qartazi shkelje të ligjit të toleruar nga KQV. Mosdokumentimi i përshtatshëm i dhënies së ndihmës ndaj zgjedhësve që për shkak të aftësive të veçanta nuk mund të votojnë vetë mbetet problematik dhe në këtë proces votimi. KShH njoftoi menjëherë për rastet e evidentuara KQZ-në.
● Ndërkohë që në tërësi procesi i numërimit të votave u karakterizua nga një klimë e qetë, përpos miratimit të Urdhërit nr. 71, dt. 15.05.2023, të Komisionerit, procesi i numërimit është pezulluar për disa orë pranë 13 prej 20 VNV të monitoruara. KShH gjithashtu vëren me shqetësim mungesën e qasjes së unifikuar sa i takon klasifikimit të saktë të vlefshmërisë së votave. Prezenca e personave të paautorizuar ka vijuar të jetë problematike në VNV, duke qenë se megjithë kontrollin rigoroz të ushtruar nga Policia e Shtetit në hyrje të godinave, një pjesë e konsiderueshme e personave prezentë nuk mbanin të varur në një pozicion të dukshëm akreditimet e tyre, duke krijuar kështu dyshime mbi autorizimin e prezencës së tyre.
● KShH ka parë me rëndësi trajtimin e Vendimit nr. 174, dt. 06.06.2023, të KAS, ku shumica e anëtarëve argumentoi se pretendimeve për pavlefshmërinë e rezultatit të QV-së nr. 2224/01 të ngritur pranë IEVP Rrogozhinë i mungonte bazueshmëria ligjore. KShH vlerëson, duke u bazuar në Vendimin nr. 40, datë 16.11.2007 të Gjykatës Kushtetuese, se votimi i të burgosurve në IEVP është kryer në mënyrë ekstraligjore, duke qenë se votimi i tyre për pushtetin vendor pranë një bashkie pranë të cilës ata nuk banojnë është i padrejtë.
● KShH vlerëson se Vendimi nr. 28 i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nëpërmjet të cilit u vendos përsëritja e procesit zgjedhor në Bashkinë Rrogozhinë ishte i drejtë. Sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, institucionet e ekzekutimit të vendimit penal janë vendqëndrime e jo vendbanime të burgosurve dhe të burgosurit duhet të votojnë për organet e pushtetit vendor vetëm kur janë banorë të zonës ku vuajnë dënimin. Nga ripërsëritja e zgjedhjeve në Bashkinë Rrogozhinë, institucionet kanë informuar KShH-në se pranë IEVP Rrogozhinë, nga 89 të dënuar të akomoduar me të drejtë vote, vetëm një prej tyre është regjistruar në regjistrat e gjendjes civile të kësaj Bashkie, dhe rrjedhimisht gëzon të drejtën për të votuar specifikisht për këtë Bashki. Rrjedhimisht, pranë IEVP Rrogozhinë, nuk është ngritur një QV në respektim të nenit 62, pika 2 e Kodit Zgjedhor (që kërkon të paktën 15 zgjedhës me të drejte vote për këtë Bashki).