Kronikë

Tiranë/ Këshilli i Helsinkit tha se 14-vjeçari u dhunua, Policia: Po hetojmë, të përfshirë edhe AMP dhe Prokuroria! I mituri në pranga dhe shenja në fytyrë, mjeku s’e vizitoi

24 Prill, 10:48| Përditesimi: 24 Prill, 13:10

  • Share

Tiranë- Dyshimet për dhunimin e një 14-vjeçari nga punonjës së policisë së Tiranës gjatë dhe pas shoqërimit në komisariat kanë nxitur një hetim të menjëhershëm nga strukturat e policisë së shtetit, prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Alarmi është ngritur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pranë të cilit janë ankuar prindërit e të miturit.

Komiteti i Helsinkut njoftoi se më 12 prill pranë zonës së Kodrës së Liqenit në Tiranë, 14-vjeçari ishte ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 1, Tiranë për shkak se ishte kapur duke hedhur kapsolla, fakt që është konfirmuar edhe në raportimin e uniformave blu që thonë se denoncimi erdhi nga banorët e zonës.

Në ankesën e tyre prindërit pretendonin se ndaj djalit të tyre punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se njëri prej djemve, në ndjekje është rrëzuar dhe si pasojë ka dëmtuar pjesën e fytyrës dhe syrit, duke sjell mavijosje dhe ënjtje.

KSHH pasi ka hetuar ngjarjen ka konstatuar se në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë por nuk është vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Report Tv mësoi përmes burimeve se 14-vjeçarit i janë vendosur prangat gjatë shoqërimit, në kundërshtim me rregullat për të miturit. Kësaj shkeljeje i kanë mëshuar më shumë prindërit, njëri prej të cilëve është pedagog në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranës.

Uniformat blu e argumentojnë me faktin se nuk e kanë kuptuar moshën, dhe se prangat i janë vendosur edhe pse i mituri ka tentuar t’i ikë patrullës. Burimet nga policia pretendojnë se në ndjekje është rrëzuar dhe si pasojë ka dëmtuar pjesën e fytyrës dhe syrit, duke sjell mavijosje dhe ënjtje, detaje që duhen mbeten për t’u verifikuar përmes një hetimi të plotë.

Në reagimin e saj Policia e shtetit thotë se në bazë të denoncimit të prindërve se i biri është dhunuar në komisariat, që më datë 13 prill ka nisur një hetim disiplinor për shkelje të rëndë ndaj tre efektivëve në komisariatin nr.1, 2 inspektorë, një oficeri të Patrullës së Përgjithshme dhe nënkomisares, specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të këtij komisariati.

Sipas uniformave blu hetimi do të jetë edhe administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja dhe procedurat. Edhe AMP ka referuar me datë 15 Prill materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Reagimin e menjëhershëm të policisë, e përshëndeti edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke kërkuar që hetimet të jenë sa më objektive e të gjithanshme, për të parandaluar rastet e ngjashme në të ardhmen.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një njoftim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, është dhunuar një i mitur i ndaluar, sqarojmë:

Me datë 12.04.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta. Për këtë shtetas Policia referoi materialet në Prokurori, ku u vendos procedimi i tij në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për këtë rast është dhënë njoftim në përmbledhjen ditore të qarkut Tiranë, më datë 13.04.2025.

Në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me datë 13.04.2025, ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për:
-Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025,ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.

Theksojmë se strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Policisë së Tiranë janë maksimalisht të angazhuara për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti dhe për të reaguar shpejt, me paanësi dhe konform ligjit, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve.

Xh.D/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?