Kronikë

Kompani fiktive për shmangien e tatimeve, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 'trurin' e skemës dhe 3 tregtarët! 45.5 mln lekë dëm shtetit

19 Prill, 10:32| Përditesimi: 19 Prill, 11:03

  • Share

TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim katër persona të përfshirë në një skemë mashtrimi tatimor me kompani fiktive importi, të cilët dyshohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 45.5 milionë lekësh. Sipas hetimeve, këta persona kanë ngritur biznese me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe qarkullimin e mallrave pa faturë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Serxho Mahmutaj dhe tre tregtarët Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kosta do të përballen me drejtësinë për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje të të ardhurave në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim krimi”.

Si funksiononte skema e mashtrimit?

Hetimi u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr. 1695 të vitit 2024, ku rezultoi se shtetasi Serxho Mahmutaj ishte ideatori dhe përfituesi kryesor i skemës, ndërsa ka përdorur emrat dhe të dhënat personale të tre bashkëpunëtorëve të tij – që më vonë pranuan edhe pagesa mujore – për të regjistruar tre kompani që do përdoreshin për mashtrim me faturat.

Zenel Ruzaj kishte në emër të tij kompaninë “TIRANA2002”, Endi Stafa kishte në emër të tij kompaninë “shop2013”, Panajot Kosta ishte përfaqësues i kompanisë “DAJTI 2021”, të treja për tregti me pakice e mallrave e pajisjeve industriale si mobilieri ,veshmbathje, artikuj te ndryshëm dhe te tjera orendi, materiale ndërtimi, hotelerie etj. Të tre kompanitë janë themeluar në vitin 2021, të gjitha me adresë në zonën e “1 Majit” në Tiranë dhe aktualisht të pezulluara nga tatimet.

Këto kompani janë përdorur për të krijuar fatura fiktive që u shërbenin tregtarëve të ndryshëm për të justifikuar mallra pa doganë apo tatime, me qëllim uljen e bazës tatimore dhe shmangien e detyrimeve fiskale. Përmes kësaj skeme, është simuluar një qarkullim total prej 303 milionë lekësh, duke rritur shpenzimet për të ulur normën e tatim fitimit në vlerën 45,567,228 lekë, vlerë e cila konsiderohet si dëm ndaj shtetit.

"Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1695 të vitit 2024, rezultoi se shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. kanë krijuar tre subjekte tregtare për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe furnizimin me mallra pa faturë tatimore. Këto subjekte, të cilat kanë funksionuar si të ashtuquajturat “NIPT-e shëtitës”, kanë qenë të regjistruara me të dhënat personale të shtetasve Z.R, E.S. dhe P.K., ndërkohë që veprimet reale janë kryer nga shtetasi S.M, i cili përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo veprimtari.

Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasi S.M. ka përdorur marrëdhënien e tij të besimit me tre individët e tjerë për të ngritur subjekte biznesi në emër të tyre dhe për t’i përdorur si mjete për të realizuar aktivitetin e paligjshëm. Ai ka përdorur metoda të ndryshme për të shmangur tatimet dhe taksat. Ndërkohë që tre shtetasit e tjerë, të akuzuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ fillimisht kanë vepruar në mirëbesim, por më pas kanë pranuar pagesa mujore dhe kanë pranuar hapjen e kompanive në emër të tyre. Këto subjekte kanë kryer një qarkullim në vlerën 303,781,520 lekë, duke rritur shpenzimet për të ulur normën e tatim fitimit në vlerën 45,567,228 lekë, vlerë e cila konsiderohet si dëm ndaj shtetit", njoftoi Prokuroria e Tiranës. 

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka ngritur akuzat për “Mashtrim”, “Fshehje të të ardhurave në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim i krimit”. Sipas hetuesve, Serxho Mahmutaj ka përdorur marrëdhënie besimi për të përfshirë të pandehurit e tjerë në skemë, të cilët fillimisht janë bindur të regjistrojnë bizneset në emrin e tyre, por më pas kanë pranuar edhe pagesa mujore në këmbim të bashkëpunimit.

Aktualisht Serxho Mahmutaj ndodhet në masën arrest me burg, i cili ishte në krye të skemës së mashtrimit, ndërsa detyrim paraqitjeje është vendosur për tre tregtarët, Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kristo.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?