Me një fond prej 96 mijë dollarësh, kompania ‘Bankers Petroleum’ po investon për rikonstruksionin e dy rrugëve në fshatin Sheqishtë të Patosit. Drejtori i kompanisë së naftës, Huanqin Xiao së bashku me kryetarin e bashkisë, Fation Duraj panë nga afër ecurinë e punimeve.
Këto rrugë me gjatësi mbi 1 kilometër ishin pothuajse të pakalueshme. Bashkia ka hartuar një plan të kujdesshëm rindërtimi dhe ka kërkuar mbështetjen financiare nga kompania ‘Bankers Petroleum’, e cila vazhdimisht i përgjigjet nevojave të këtij komuniteti.
“Në fakt është një histori shumë interesante. Herën e parë që isha në këtë fshat ishte në tetor 2022 dhe një burrë i moshuar më takoi dhe i kërkoi Bankersit të rindërtonin rrugën për në kishë. Thashë do ta shqyrtojmë, tani po e përmbushim premtimin. Ne do të shpenzojmë 96,000 USD për të rindërtuar këtë rrugë për në kishë. Rruga do të jetë 1 km e gjatë dhe 2.5 m e gjerë e shtruar me bitum. Mendoj se kjo rrugë do të përmirësojë shumë cilësinë e jetesës së banorëve aty pranë dhe si rrjedhojë edhe bashkëpunimin me Bashkinë Patos”, u shpreh Huanqin Xiao, CEO i ‘Bankers Petroleum Albania’.
Projekti përfshin, një gjerësi asfalti prej 2.5 metra dhe një paketë të fortë shtresash që japin siguri dhe rezistencë. Ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda një afati të shkurtër.
“Në këtë zonë po shtrohen rrugët e kishave, brenda muajit do përfundojnë punimet. Falenderojmë Bankers për investimin! Rrugët kishin nevojë për rikonstruksion pasi ishin pothuajse të pakalueshme”, tha Fation Duraj, Kryetar i Bashkisë Patos.
Rrugët e asfaltuara do të sjellin ndikim pozitiv dhe në zhvillimin e turizmit, pasi në Sheqishtë të Patosit gjendet dy kisha "Shen Trifoni" dhe "Shen Sotiri" që njihen për vlerat e tyre kulturore e historike.