Protestuan ndaj kompanisë turke që i hoqi nga puna e s’u dha pagat, prokuroria Fier: Po kryejmë hetime për falimentim të provokuar

8 Tetor 2023, 08:47| Përditesimi: 8 Tetor 2023, 12:14

  • Share

FIER- Një ditë pas protestës së rreth 70 grave e vajzave në Fier pasi ishin hequr në mënyrë të padrejtë nga puna dhe nuk kishin marrë 2 paga të prapambetura, Prokuroria e Fierit thotë se ka nisur hetimet ndaj kompanisë turke “Ozgun Kan Albania”.

Sipas Prokurorisë së Fierit po vijojnë hetimet me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës. Hetimet po kryhen për veprën penale  “Falimentimi i provokuar”.

‘Sqarim nga Prokuroria Fier mbi hetimet për kallëzimin penal të një grupi punonjësish ndaj subjektit O.A. shpk. Nisur nga interesi i lartë dhe ndjeshmëria e çështjes dhe për të sqaruar opinionin publik, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier bën me dije se më datë 09.08.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.957, për veprën penale “Falimentimi i provokuar”, parashikuar nga neni 193, i Kodit Penal. Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga një grup punonjësish të subjektit “O.A” SH.P.K., me administrator z. E.T, të cilët pretendojnë për shkelje ligjore të kryera nga kjo shoqëri lidhur me mosdhënien e pagave dhe mbylljen e aktivitetit. Në funksion të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh hetimore. Çështja penale është ende në hetim dhe po vijon puna me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës.’- njofton prokuroria e Fierit.

70 gra e vajza kanë punuar deri më muajin qershor të këtij viti pranë kompanisë turke, më pas janë pushuar pa asnjë shpjegim. Aktualisht fasoneria është e mbyllur ndërsa ish-punëtoret kërkojnë pagat e prapambetura.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?