Ekonomi

Kompanitë e sigurimit dhanë 3 mld lekë për dëmet e tërmetit, drejtori i AMF: Tregjet financiare të stabilizuara, po finalizojmë kuadrin ligjor për monedhat virtuale

11 Maj 2021, 14:11| Përditesimi: 11 Maj 2021, 14:58

  • Share

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është drejt finalizimit të akteve nënligjore për të vënë plotësisht në zbatim ligjin për ‘Tregjet financiare të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’, që i hap rrugën edhe përdorimit të monedhave virtuale. Kreu i këtij institucioni Ervin Mete tha në Komisionin e Ekonomisë se aktet i janë dërguar autoriteteve të tjera për të arritur deri në realizimin final të tyre, por sqaroi që ky institucion është përgjegjës vetëm për mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit. 

“Ne nuk kemi fokus që mbulon të gjithë përdorimin e teknologjisë por vetëm përdorimin e aseteve virtuale në tregjet e kapitalit.  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka draftuar rregulloret të cilat janë dërguar për shqyrtim te autoritetet respektive sepse vetë ligji parashikon një sërë institucionesh të përfshira, ku veç AMF-së më kryesori është AKSHI që duhet të japë një certifikim të aspekteve dhe sigurisë teknologjike të aktorëve që përfshihen në këto tregje. Nga ana tjetër vetë ligji referon Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave si një aktor i përfshirë dhe për një kategori licencash që do bëjnë të mundur konvertimin e këtyre aseteve në para fizike përfshin dhe Bankën e Shqipërisë për të lëshuar një licencë respektive. Edhe ne kemi përgatitur draft-rregulloret tona që janë qarkulluar për mendim dhe Këshilli i Ministrave në dijeninë tonë ka qarkulluar për mendim dhe jemi në fazën finale aktet rregullative. Deri tani duke qenë se dhe aktet rregullative nuk janë finalizuar nuk kemi pasur asnjë interes të shprehur për fushën në mbulimin tonë që është tregtimi ose përdorimi i aseteve virtual në tregjet e kapitalit”, tha  Ervin Mete kreu i AMF-së.

Ligji për lejimin e monedhave virtuale është miratuar nga Parlamenti vitin e kaluar, dhe që të nisi zbatimi i tij duhet plotësuar me aktet nënligjore. Aktualisht në vend sipas AMF-së nuk ka pasur interes për licencim kompanish në këtë fushë. Drejtori Mete ndër të tjera bëri edhe një prezantim të raportit vjetor të vitit 2020 ku tha se tregjet financiare janë të stabilizuara dhe e përballuan pandeminë dhe tërmetin.

“Tregjet nën mbikëqyrjen e AMF shfaqën rezistencë gjatë 2020 ndaj efekteve të pandemisë dhe janë të stabilizuara, me tregues të mirë të likuiditetit. Totali i aseteve në vitin 2020 është rritur me 1.5% duke arritur në 110 miliardë lekë, ose 6.8% e PBB kundrejt 6.5% që ishte në 2019. Tregu i sigurimeve rriti kapitalet e veta me 1.85 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Treguesi i aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka pësuar një rritje të konsiderueshme, në masën 67%, nga 106% në vitin 2019 në 173% në vitin 2020. Tregu i sigurimeve ka shënuar përmirësime edhe në treguesin e aktiveve në mbulim të provigjoneve. Aktualisht, ky tregues për tregun e Jo-Jetës është në nivelin 131.6%, ndërsa për Jetën 130.2%. Bazuar në shifrat e tremujorit të parë të këtij vitit tregjet nën mbikëqyrjen e AMF po i rikthehen normalitetit," pohoi Mete.  

Ndërkohë vetëm vitin që shkoi janë paguar 3 miliardë lekë për dëmet e tërmetit.

“Tregu i sigurimeve e përballoi me sukses faturën e dëmeve të tërmetit 2019 ku 90% e dëmshpërblimeve janë paguar në vitin 2020. Gjatë vitit të kaluar janë paguar 3 miliardë lekë për dëmet e tërmetit”, pohoi kreu Mete.

Po ashtu AMF po bën gati edhe disa ndryshime të tjera ligjore për nxitjen e tregut të pensioneve private, që do i paraqiten Këshillit të Ministrave.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?