Prej datës 18 tetor urbanët në kryeqytet operojnë me 50% të kapaciteteve, shkak për këtë sipas shoqërive të këtij sektori janë pamundësia financiare pas pasojave të rënda të pandemisë, shtrenjtimi i naftës dhe mungesa e punonjësve.
Ky ngërç financiar sipas Unionit të Transportit Publik, e ka zgjidhjen tek plotësimi i disa kërkesave thelbësore për vijimin e aktivitetit normal.
Që pas daljes nga karantina në vitin e kaluar shoqatat e transportit gjatë protestave të zhvilluara kërkuan heqje akcize, ulje TVSH-je dhe rimbursim për personat që përfitojnë transportin falas.
Teksa ka kaluar më shume se 1 vit pa u plotësuar, shoqëritë i kanë shtuar kërkesat e tyre.
Kërkesat e tyre minimalisht i kushtojnë buxhetit të shtetit 4.1 milionë euro. Konkretisht vetëm plotësimi i kërkesës për uljen e TVSH-së nga 20% që është aktualisht në 6%, në një vit i kushton buxhetit 1.8 milionë euro.
Kërkesa e dytë për heqjen e akcizës që është 37 lekë për litër kushton në një vit 2.3 milionë euro. Në rast se shteti e ka të pamundur të heq akcizën kompanitë kërkojnë heqje të taksës së qarkullimit që është 24 lekë për litër, dhe heqja e saj i kushton arkës së shtetit rreth 2 milionë euro në vit.
Këto janë lehtësira që i takojnë vetëm kostos së karburantit, që përbën mesatarisht 48% të kostos totale të transportit publik.
Kërkesa tjetër e bërë që në 2020 është rimbursimi për 21 mijë qytetar që në bazë të ligjit përfitojnë shërbimin e transportit publik falas për shkak se janë invalidë, të verbër apo me librezë shëndetësore. Kostoja e rimbursimit përllogaritet në rreth 18 milionë lekë sipas shoqatës kombëtare të transportit qytetas.
Kërkesat e shtuara këtë vit janë sa i takon kompesimit të çmimit të biletës dhe të abonesë.
Në një letër dërguar bashkisë së Tiranës në 13 tetor 2021, shoqatat kërkojnë kompesim për çdo biletë në vlerën 30 lekë, pasi sipas tyre kostoja që kanë shoqëritë e transportit për një udhëtar nga 27-28 lekë që ka qenë ka arritur në 32-33 lekë. Për këtë arsye shoqëritë kërkojnë indeksimin e tarifës së udhëtimit bazuar në situatën aktuale me fitimet dhe humbjet e shoqërive të transportit.
Kërkesa tjetër është kompesim 600 lekë nga shteti për çdo abone të linjës apo të përgjithshme që shitet. (Aboneja e linjës kushton 1200 lekë, aboneja e përgjithshme kushton 1600 lekë)
Në mungesë të përgjigjes transporti u paralizua 50% prej ditës së hënë, ndërkohë në letrën e 13 tetorit ata i kanë vënë një afat bashkisë së Tiranës për të marrë masa dhe reaguar deri në 1 nëntor, në të kundërt kapacitetet e tyre do të shkurtohen më tej dhe në qarkullim do dalë vetëm 20% e flotës së urbanëve.
Unioni i Transportit Publik lajmëron se duke filluar nga sot do të punojë me gjysmë të kapaciteteve të mjeteve urbane. Kjo pasi sipas tyre ato po vuajnë ende pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe rritja e çmimit të naftës i bën ata të pafuqishëm ekonomikisht për të punuar me kapacitete të plota.
Unioni i Transportit Publik thotë se nuk është marrë asnjë masë që të plotësohen kërkesat ekonomike që u janë premtuar dhe deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre do të punojnë me gjysmën e kapaciteteve.
"Të nderuar, Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysmë nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.
E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.
Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qendrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori.
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse", thuhet në njoftimin e Unionit të Transportit Publik.
Në lidhje me plotësimin e kërkesave të tyre Unioni i Transportit Publik i kishte dërguar më 5 tetor letër Ministres së Financave Delina Ibrahimaj dhe kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj duke u lënë afat deri më 15 tetor që të merrnin masa, por në mungesë të tyre sot më 18 tetor vendosën të punonin me gjysmë të linjave të urbanëve në Tiranë, ashtu siç e kishin paralajmëruar
Kërkesat e Shoqatave të Transportit janë të njëjta që kanë pasur që gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa shprehen se nuk kanë pasur ansjë reagim për plotësimin e tyre nga institucionet përkatëse.
1. Indeksimin e tarifës së udhëtimit, duke përcaktuar një kosto bazuar në situatën aktuale, fitimet dhe humbjet e shoqërive të transportit.
2. Reduktimi i Tvsh-së. Mendojmë se shteti duhet të ndërhyjë duke aplikuar për këtë lloj shërbimi një tarifë TVSH-je të reduktuar në 6 %. Vetëm po të reduktohet TVSH-ja, nga 20% në 6 %, efekti në buxhetin e shtetit neto llogaritet në rreth 224 milion lekë, për gjithë shërbimin e transportit qytetës të vendit. Kjo shumë shkon në rritje të performancës ekonomike e financiare të bizneseve që shërbejnë në këtë sektor.
3. Heqja e Akcizës ose taksës së qarkullimit për karburantin e përdorur në këtë shërbim. Karburanti, që harxhojnë autobusët e transportit urban, mesatarisht, në një orë pune është 6-6.5 liter ose e llogaritur për 100 km, arrin deri në 80-90 litra. Arsyeja kryesore e konsumit të karburantit në këto nivele, nuk është niveli teknik i mjeteve por gjendja tejet e ngarkuar e rrugëve urbane të qytetit dhe mungesa e korsive të veçanta. Kjo do të thotë se ulja e harxhimit të karburantit nuk është brenda mundësive të operatorëve. Në këto kushte, shoqëritë tregtare që operojnë në linjat e trasportit qytetës konsumojnë sasi të mëdha karburanti. Në strukturën e kostos totale të sherbimit, karburanti në të gjitha shoqëritë varjon, nga 46% deri në 49%, ose mesatarisht 48%. Kuptohet se sa e rëndësishme është për ne ulja e kostos së karburantit.
Ketu ku jetoj une,autobuzet jane falas qe kur filloi pandemia,nuk e di cfare u eshte premtuar,por regjistohet cdo person qe hipen.Me sa kam degjuar nja dy kongresiste te shtetit,po perpiqen te bejne nje legjistacion qe te jene falas pergjithmone.Bileta nuk kushton shume 1.75$,pa abone,1.60$ me abone ,te moshuarit perkatesish 85-80 cent,por per ata qe marrin dy linja rrit koston,sidomos po t'a marresh dy here ne dite,vajtje-ardhje.Te shohim ne se do t'ia arrijne t'a bejne falas,kundrejt kompensimeve ,rimbursimeve te tjera.
Përgjigju