Sali Berisha prezantoi programin e fushatës elektorale për ADSHM në zgjedhjet e 11 majit në Krujë, gjatë një takimi që pati në ambientet e një fasonerie, pak pas vizitës në tregun artizanal.
Ndërsa përsëriti premtimet e tij të zakonshme, ai tha se rënia e euros me 35% është katastrofë për biznesin, duke shtuar se do kompensonte “çdo qindarkë” për biznesmenët e prekur nga kjo dukuri.
Ai hodhi edhe akuza ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke thënë se i ka varfëruar shqiptarët dhe nuk pranon të rrisë pensionet në 200 euro, duke thënë se “shkon vendi në humnerë dhe rrokulliset”.
Këto akuza i bëri teksa kishte përballë si shoqërues në këtë takim elektoral, edhe ish-prokurorin e lakuar për lidhje me krimin, Arjan Ndoja dhe ‘deputetin me kobure’ Gent Strazimiri, të dy kandidatë për deputetë të PD-së në qarkun e Durrësit.
Berisha u shpreh se ato para janë të gjendshme, teksa akuzoi edhe ministret e kabinetit socialist për jetë luksi.
“E kanë kthyer Parlamentin në pasarelë, ua thashë unë atje. Vijnë me çanta luksi atje e veshje, me çfarë i blejnë, se rroga s’u del, ku i gjejnë paratë?”, tha ai mes të tjerash.
Kurse për fasonët u shpreh:
“Vetëm rënia e euros me 35%, për eksportuesin është katastrofë. Çfarë kemi ndërmend ne. Ne pas datës 12 maj do të krijojmë një bord që do tu kompensojë eksportuesve, qindarkë për qindarkë zhvleftësimin e euros. Se euron e zhvlerësoi qeveria që toleroi bandat e trafikantët që të fusnin paratë e tyre me kontejner dhe mënyra të tjera, e pastaj qindra e mijëra vende pune, qindra ndërmarrje eksporti falimentuan sepse ra euro 35%. Nga viti 2023-2024 eksportet janë ulur me 32%. Është gjë shumë e rëndë. Çfarë do të thotë? Mijëra punëtorë kanë humbur vendin e punës, mijëra ndërmarrje janë mbyllur. Politikë e papërgjegjshme”.
Kreu i PD-së sulmoi Ramën se ka mbushur administratën me dyfish punonjës në bordero dhe që një të tretës nuki paguan siguracionet.
“Çfarë bën ky, mbledh në një krah pensionistët e në tjetrin bisneset dhe u thotë atyre se ja këta e kanë fajin. Po ky njeri ka punonjës të administratës pa regjistruar. Po ka cipë njeriu, ka moral njeriu. Nuk paguan sigurimet e punonjësve të administratës. Dhe janë gjetur. Duhet t’i paguajë shteti, rroga jepet duke paguar sigurimin shtetëror. Shko merrja listat e borderove, shko merrja listat Arturit (kryebashkiakut të Krujës), një e treta e tyre nuk janë aty, janë jashtë, por të regjistruar. Këto para i ndajnë me njëri-tjetrin. Mbajnë në bordero 230 mijë punonjës, 130 i kemi pasur ne. Një e treta e tyre ndajnë rrogat mes tyre. Këto do marrin fund”, tha ai.
Në fund bëri edhe bilancin e abuzimeve të qeverisë me infrastrukturën rrugore dhe abuzimet financiare.
“Ose tunelin e llogarisë, ky njeri, nuk e thotë dot se janë 50 mln euro të vjehdura, Rruga e Arbrit nuk e thotë dot, se janë mbi 100 mln euro. Ka kushtuar 20 mln euro kilometri. Ndaj nuk del para gazetarëve, se ka vjedhur, i shihni vetë ju. Dola në Parlament unë, e thashë, ministret, nuk është Parlamenti pasarelë. Vinin këto me gjëra luksi, me çanta luksi, nuk u del rroga për t’i mbajtur ato. Ku i gjenë? Me paratë e qytetarëve”, përfundoi kreu i demokratëve, duke harruar se edhe ndaj nuses (Armina Mevlani) të djalit të tij Shkëlzen Berisha, janë ngritur dyshime të bazuara për fotot e saj me veshje dhe çanta luksi, të cilat kushtojnë deri në 30 mijë euro dhe për të cilat nuk ka shpjegime të dukshme për burimet financiare.
Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe ish-deputeti Gent Strazimiri, të dy kandidatë të PD, sot në takimin e Berishës në Krujë
Komente
