Kompensimi i ish-pronarëve do të shtyhet me 5 vite, mijëra dosje stok! Agjencia merr kohë për të ‘mbledhur’ para! Brenda 2025 miratohet harta me vlerën e tokës në Shqipëri

24 Shtator 2023, 18:41| Përditesimi: 24 Shtator 2023, 18:48

  • Share

Agjencia e Trajtimit të Pronave, do të ketë afat deri në vitin 2030, për të shqyrtuar dosjet e ish-pronarëve të tokave.

Ministria e Drejtësisë në një dokument të publikuar për konsultim publik mbi shtetin e së drejtës, njofton shtyrjen me 5 vite të afatit të kompensimit të ish-pronarëve, proces që pa këtë ndryshim do duhej të përfundonte në 2025-ën.

Ministria e Drejtësisë nuk jep argumente për shtyrjen, por një nga shkaqet kryesore është numri i madh i dosjeve stok dhe vlera e madhe financiare e kompensimeve.

Sipas shifrave që vetë ministri Ulsi Manja ka bërë publike në maj të këtij viti, janë rreth 7 mijë dosje ende të patrajtuara nga Agjencia, 20 mijë vendime që duhen kompensuar me një faturë 101 miliardë lekë, ndërsa janë likuiduar vetëm 974 pronarë.

Përballë kësaj situate, ministria sugjeron që të fillimisht të sigurohen fondet për kompensim, dhe më tej të nisë likujdimi.

“Sigurimi gradual i mbështetjes së duhur financiare për procesin kalimtar të kompensimit të pronave brenda vitit 2030. Progres thelbësor në proceset kalimtare të pronësisë brenda vitit 2030”, janë dy ndër objektivat e kësaj strategjie të Ministrisë së Drejtësisë.

I gjithë ky proces që ka nisur me ligjin e vitit 2015, Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit, ka pasur ndalesa për shkak të padive të ish pronarëve në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, që solli ndryshimin e ligjit. Tashmë, pronarët nuk kompensiohen me vlerën dhe statusin që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, por me vlerën që ka aktualisht, jo më pak se 10% të vlerës së pronës të llogaritur sipas zërit kadastral aktual.

Në strategjinë e Ministrisë së Drejtësisë është vendosur si objektiv edhe përfundimi i dixhitalizimit të procesit të regjistrimit të pronës brenda vitit 2030 dhe të marrë jetë plani kundër korrupsionit në Kadastër

Ndërsa brenda vitit 2025 ministria synon që të miratojë metodologjinë e llogaritjes së çmimeve që do të caktojë hartën e re  të vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?